Mbrojtja: Hysni Gucati është kundër drejtësisë selektive

Në seancën që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës, sot ka filluar dhënia e deklaratave përmbyllëse nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit Hysni Gucati.

Në deklaratën përmbyllëse avokati Jonathan Elystan Rees, fillimisht ka kundërshtuar disa prova të prokurorisë duke i konsideruar si të sajuara.

“Do të kërkoj nga trupi gjykues që të bëjë vlerësimin e vet dhe të japë vendimet e veta duke u mbështetur në analizën e ligjit dhe të provave që janë sjellë para kësaj gjykate. Testi i pikave individuale sa i takon Gucatit që prokuroria i ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm janë të sajuara. Provat që janë pranuar vetëm gjatë gjykimit mund të konsiderohen dhe provohen”, tha avokati.

Tutje Rees diskutoi edhe një pikë tjetër të rëndësishme në të cilën sipas tij, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka kundërshtuar vetëm drejtësinë selektive.

Avokati Rees ka sqaruar se Gucati ka bërë thirrje për drejtësi ndaj të gjithëve, dhe jo drejtësi selektive.

“Zotëri Gucati e ka shprehur shqetësimin e tij për gjykatën dhe në fakt ka arsye objektive për të mbështetur këtë qëndrim ose pikëpamje të tij pavarësisht nga fakti nëse jeni dakord me të apo jo. Gucati ka bërë thirrje për drejtësi për të gjithë, jo drejtësi për disa”, ka thënë avokati.

Rees tutje ka paraqitur disa pjesë nga intervistat në të cilat i akuzuari i speciales kishte dhënë gjatë deklarimeve të tij përpara gjykatës, për çka avokati ka konsideruar se qëndrimi i të akuzuarit nuk ishte asnjëherë kundër drejtësisë.

“Gucati thotë që ne nuk jemi kundër drejtësisë por jemi kundër drejtësisë selektive, drejtësisë përzgjedhëse, e kjo përmbledh në mënyrë të pastër pozicionin e Gucatit dhe shqetësimit e tij lidhur me këtë gjykim”, ka shtuar avokati.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen se në prill dhe shtator të vitit 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurororit të Specializuar (ZPS) dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, “gënjeshtarë”, “bashkëpunëtorë” dhe “tradhtarë”.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.