Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme, 26 prill 2022 - Foto: KALLXO.com
Mbledhja e dy Komisioneve parlamentare, shprehen shqetësime për sulmet ndaj Policisë në veri
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në NATO, forcimi i kapaciteteve të sigurisë, sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, Fondi i Sigurisë kanë qenë disa nga temat e diskutuar në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Punë të Jashtme dhe atij të Sigurisë së Kuvendit të Kosovës.
Mbledhja e Komisionit ka vazhduar e mbyllur për media, pas disa diskutimeve të para.
Haki Abazi, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme nga Lëvizja Vetëvendosje, tha që kjo mbledhje është e nevojshme për të bashkërenduar hapat pas rrethanave që ka krijuar lufta në Ukrainë.
“Sot besoj që është e rëndësishme që ne bashkë të dy komisionet të fillojmë diskutimin se një numër i faktorëve vazhdojnë me qenë të panjohur për faktin sesi do të përfundoj ky konflikt, kjo luftë ka ngritur shumë pikëpyetje. Raportohen mbi 2,500 civil të vrarë, 184 fëmijë, 5.2 milion refugjatë dhe cilësohët si situata më e rëndë në kontinentin e evropës që nga lufta e dytë botërore”, tha Abazi.
Abazi po ashtu bëri të ditur se kjo mbledhje mund të mbyllët për media varësisht nga diskutimi i deputetëve.
“Sot jemi bo bashkë të dy komisionet për të diskutuar për rrethanat e reja. Ju keni vijën e kontrollit për ministritë përkatëse ashtu siç keni edhe ju. Disa nën tema për të cilët mund të bisedojmë, është anëtarësimi në KE, puna me 5 vendet mosnjohëse, transformimi i FSK-së në ushtri, anëtarësimi në NATO, aleancat ballkanike, marrëdhëniet dhe avancimi i tyre në raportin me Shqipërinë dhe forcimi i kapaciteteve të sigurisë në vend”, tha ai.
Bekë Berisha, kryetar i Komisionit për Siguri u shpreh i shqetësuar pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Zubin Potok.
“Është e qëlluar që të kemi bashkëpunim në ketë aspekt. Ne jemi të shqetësuar me atë çka po ndodhë në Ukrainë, po ashtu shqetësim si komision e kemi sulmin ndaj Policisë se Kosovës në Veri. Neve na konvenon tani që Kosova të mos destabilizohet dhe për të këtë e falënderoj Policinë e Kosovës”, tha ai.
Enver Dugolli, zëvendëskryetar i Komisionit për Siguri nga LVV tha që në forumet ndërkombëtare duhet të lobohet më shumë për anëtarësimin e plotë të Kosovës në kartën e Adriatikut.
“Tani politikat e mbrojtjes, sigurisë dhe të jashtme, në të gjithë botën janë shndërruar në një, prandaj edhe thirrja e këtij takimi është e mirëseardhur sepse kemi çka të diskutojmë që ta përshpejtojmë rrugën e Kosovës në synimet e përbashkëta. Ne si komision i sigurisë bëjmë thirrje që në takimet me partnerët ndërkombëtar ta ngrisni çështjen për dy mekanizma, në kartën e Adriatikut (jemi vetëm vëzhgues) kjo do të na lehtësonte punën për hapat e mëtejmë në NATO, po ashtu është me interes të diskutoni edhe për përshpejtimin për anëtarësim në PFP kjo në aspektin praktik do të ndihmonte FSK-në sepse ne e kemi NATO-n këtu por nuk jemi pjesë e saj”, tha ai.
Ai po ashtu kërkoi të mos bëhet politik me Fondin e Sigurisë.
“Fondi i Sigurisë nuk është pengesë për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtar. Fondi i sigurisë është fond legal, i hapur, dhe e bënë hisedar edhe qytetarin në forcimin e kapacitete të sigurisë. Nuk është fer, as nuk është mirë që këto tema t’i shfrytëzojmë për politikë”, tha ai.
Anton Quni, anëtar i Komisionit nga LDK tregoi për kushtet që duhet ti plotësojë Kosova për anëtarësim në NATO.
“Për të qenë anëtar i NATO janë të identifikuara 5 fusha, një ndër obligimet e para është fqinjësia e mirë, apo zgjidhja parësore e mosmarrëveshjeve me fqinjët, dhe ne nuk mundemi me pas aq shpresa të mëdha për anëtarësim nëse nuk arrijmë deri tek epilogu me Serbinë. Është spektër bukur i gjerë e misioneve që janë nën ombrellën e NATO-s, për mbeshtetje të paqes ne i kemi disa kapacitete, kërkim -shpëtim, deminimin, por nuk kemi kapacitete që në ndonjë vend që është në luftë me arritë paqe, mbetet që gjatë planit të tranzicionit certifikohen njësitë”, tha ai.
Quni po ashtu përmendi edhe mungesën e organizmave për sigurimin e informatave.
“Ne ende jemi në fazën fillestare të sigurimit të rezervave shtetërore, duhet të punohet shumë në këtë drejtim, sepse çdo angazhim e ka një kosto shumë të lartë. Ne ende nuk i kemi të funksionalizuar një serë masash dhe organizmash që të sigurojmë informatat, ne duhet të punojmë në këtë drejtim, është program i kushtueshëm”, tha ai.
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot përsëri është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
Sipas Policisë, sulmi është kryer me armë zjarri, por që deri më tash përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për ndonjë zyrtar të lënduar.
“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga Stacioni Policor në Zubin Potok, të cilat kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri”, ka bërë të ditur policia.
Tutje, Policia e Kosovës ka thënë se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin. Në njoftim thuhet se ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.
Kjo është e disata herë që sulmohet Policia e Kosovës në veri të vendit derisa sulmi i parë ishte bërë më 13 prill.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mbajtur me 15 prill kishte thënë se brenda tri ditëve (13-15 prill) janë realizuar katër sulme të sinkronizuara në një territor ku sulmet kanë ndodhur shumë afër njëra tjetrës.