Foto: KALLXO.com

Lufta në Ukrainë, temë diskutimi e Komisioneve të Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë

Përfaqësues të Kuvendit të Kosovës kanë pritur sot në takim një delegacion të Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Mimi Kodheli, kryetare e komisionit.

Haki Abazi, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Kosovës, tha se kanë zhvilluar takim konstruktiv me Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

“Kemi diskutuar për çështje të përbashkëta të Kosovës e Shqipërisë theks të veçantë lufta në Ukrainë dhe koordinimin dhe intensifikimin për ta përballuar krizën që mund të ndjehet nëse kjo luftë vazhdon”, tha Abazi.

Abazi tha se Shqipëria është anëtare e NATO-s, Kosova sipas tij e ka KFOR-in këtu por përkundër kësaj ai shtoi se kjo kërkon angazhim vigjilent.

“E kaluara na ka mësuar që duhet të mbrohemi dhe të jemi vigjilent”, tha ai.

Kurse, Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme të Shqipërisë, Mimi Kodheli, tha se patën rastin të shkëmbejnë opinione, mendime e qëndrime.

“Po flasim për një bashkërendim të gjithçkaje që ndodh midis dy parlamenteve tona”, tha ajo.

Kodheli tha se kanë folur për marrëdhënie dy palëshe, për nënshkrimin e më shumë se 10 marrëveshjeve mes dy qeverive.

“Patëm bisedim të gjatë lidhur me situatën në Evropë e botë folëm për pushtimin e një vendi të pavarur si Ukraina nga federata Ruse”, shtoi Kodheli.

Ajo tha se Parlamenti dhe Qeveria shqiptare do të duhet të angazhohen më tepër që gjitha proceset sfiduese të aderimeve të Kosovës të përshpejtohen.

“Ne jemi me Kosovën për Kosovën”, tha ajo, duke shtuar se po punohet vazhdimisht dhe se Kosova meriton jo vetëm që t’i hiqen vizat, por edhe t’i përshpejtohen proceset euroatlantike.