Sulmohet sërish Policia e Kosovës në veri
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot përsëri është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.
Sipas Policisë, sulmi është kryer me armë zjarri, por që deri më tash përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për ndonjë zyrtar të lënduar.
“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga Stacioni Policor në Zubin Potok, të cilat kanë njoftuar se njësiti kufitar është sulmuar me armë zjarri”, ka bërë të ditur policia.
Tutje, Policia e Kosovës ka thënë se në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin. Në njoftim thuhet se ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.
Kjo është e disata herë që sulmohet Policia e Kosovës në veri të vendit derisa sulmi i parë ishte bërë më 13 prill.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, në një konferencë për media të mbajtur me 15 prill kishte thënë se brenda tri ditëve (13-15 prill) janë realizuar katër sulme të sinkronizuara në një territor ku sulmet kanë ndodhur shumë afër njëra tjetrës.
Drejtori i policisë: Katër sulme brenda tri ditëve ndaj policisë në veri