Mbikëqyrësi i OKB-së: Zbulohen mina në centralin bërthamor të Zaporizhzhia

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së tha të hënën se ka gjetur mina kundër personelit në një zonë të termocentralit bërthamor të Zaporizhzhia të mbajtur nga Rusia në Ukrainë dhe u ankua për të dytin muaj radhazi se kjo i shkel procedurat e sigurisë. 

“Ekspertët e Agjencia e Energjisë Atomike (IAEA) kanë vëzhguar mina të drejtuara kundër personelit në periferi të zonës së NPP-së Zaporizhzhia të Ukrainës”, ka deklaruar Shefi i IAEA-së, Rafael Grossi, në një deklaratë, duke shtuar se minat u pikasën gjatë një shëtitjeje të dielën.

Ekipi i IAEA ka qenë në dijeni të vendosjes së mëparshme të minave jashtë dhe brenda uzinës dhe atyre u është thënë se ishte “një vendim ushtarak dhe në një zonë të kontrolluar nga ushtria”, tha Grossi.

Grossi e e ka quajtur praninë e eksplozivëve në vend “në kundërshtim me standardet e sigurisë të IAEA dhe udhëzimet e sigurisë bërthamore”.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë vazhdimisht thirrje liderëve botërorë që të ushtrojnë presion ndaj Rusisë për t’ia dorëzuar uzinën IAEA.

Moska zyrtare tha se i ka neutralizuar dy dronë ukrainas mbi Moskë në orët e para të së hënës, me një të tillë që u rrëzua pranë ministrisë së mbrojtjes në qendër të qytetit. Zyrtarët thanë se dronët goditën ndërtesa jo-rezidenciale në kryeqytet dhe se nuk pati viktima. Sulmi erdhi një ditë pasi Kievi u zotua të “hakmerret” për një sulm raketor rus në portin e Odesës në Detin e Zi. Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk i mbështet sulmet brenda Rusisë.

Guvernatori i rajonit të Odesës në Ukrainë ka thënë se Rusia po përpiqet ta “bëjë botën të vuajë nga uria” duke u përpjekur t’i bllokojë plotësisht eksportet e drithit ukrainas në tregjet globale pasi sulmet e fundit ajrore ruse goditën infrastrukturën e grurit në lumin Danub. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i bëri thirrje Rusisë që të kthehet në një marrëveshje që lejon eksportin e sigurt të grurit ukrainas në Detin e Zi, në përputhje me një propozim që ai i bëri Vladimir Putinit pasi Rusia u largua nga marrëveshja një javë më parë.

Një zyrtar i lartë i Thesarit të SHBA-së do t’i nënvizojë përpjekjet e Uashingtonit për t’i lehtësuar eksportet ruse të grurit dhe plehrave gjatë një vizite në Kenia dhe Somali dhe do të theksojë se largimi i Moskës nga marrëveshja e drithit në Detin e Zi do t’i dëmtojë shtetet afrikane, tha një zëdhënës të hënën.

Zyrtarët amerikanë thonë se administrata Biden po dërgon deri në 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake shtesë në Ukrainë, duke përfshirë një shumëllojshmëri municionesh për sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore dhe disa drone të vegjël survejimi Hornet. Ndihma vjen pasi sulmet në luftë u përshkallëzuan duke përfshirë sulmet në Moskë dhe Krime.

Pothuajse 30 anije u ankoruan pranë terminalit të rëndësishëm të portit të Ukrainës, Izmail, pasi Rusia sulmoi të hënën magazinat e grurit në lumin Danub, treguan të dhënat, megjithëse është e paqartë pse. Sulmet ajrore ruse të së hënës plagosën shtatë persona dhe goditën infrastrukturën përgjatë Danubit, një rrugë alternative jetike për grurin ukrainas që kur marrëveshja njëvjeçare që lejonte eksporte të sigurta përmes Detit të Zi përfundoi javën e kaluar. Kievi zyrtar ka thënë se sulmi ishte një zgjerim i një fushate ajrore që Rusia e nisi kohët e fundit pas tërheqjes nga marrëveshja e grurit.

Pa dhënë asnjë provë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov pretendoi se katedralja në Odesa ishte goditur nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase. Peskov tha, “Forcat tona të armatosura nuk godasin kurrë objektet e infrastrukturës sociale, e lëre më tempujt, kishat dhe objektet e tjera të ngjashme, kështu që ne nuk pranojmë akuza të tilla, kjo është një gënjeshtër absolute”.

Rusia rezervon të drejtën për të marrë “masa të ashpra hakmarrëse”, tha Ministria e Jashtme, pasi akuzoi Ukrainën se ka sulmuar me dronë Moskën dhe gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia.

Ministria e Situatave të Emergjencave të Bjellorusisë po e përfundon armatimin dhe trajnimin ushtarak të personelit të saj në mënyrë që të jetë gati për t’i ndihmuar ministritë e mbrojtjes dhe të brendshme në rast të një konflikti të armatosur, tha të hënën shefi i ministrisë së emergjencës, Vadim Sinyavsky për televizionin shtetëror Belarus 1. Sinyavsky shtoi tutje se punonjësit do të jenë të gatshëm të ndihmojnë ministritë “në rast të një konflikti të armatosur ose një lloj trazirash në të cilat duhet të përfshihet një numër i konsiderueshëm i personelit”. Ndërsa nuk dërgoi trupat e tij në Ukrainë, Lukashenko e lejoi Moskën ta përdorte territorin bjellorus për ta nisur pushtimin e saj.

Një gazetar që punonte për agjencinë e lajmeve Agence France-Presse u plagos nga një sulm me dron rus ndërsa raportonte nga një pozicion artilerie ukrainase pranë qytetit lindor Bakhmut të shkatërruar nga beteja, sipas reporterëve të AFP-së që panë sulmin. Dylan Collins, 35 vjeç, një shtetas amerikan me bazë në Liban, por me detyrë në Ukrainë, pësoi lëndime të shumta nga predha në sulmin në një zonë pyjore pranë Bakhmut. Ai u evakuua në një spital aty pranë ku po trajtohej. Mjekët thanë se gjendja e tij nuk është në rrezik për jetën.

Kremlini e akuzoi të hënën Kievin për kryerjen e një “sulmi të qëllimshëm ndaj gazetarëve” në rajonin juglindor të Zaporizhzhia të Ukrainës, pasi një reporter i agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA u vra. Korrespondenti i luftës Rostislav Zhuravlev u vra në një sulm ukrainas me municione thërrmuese, sipas RIA. Ai vdiq nga plagët e marra gjatë një evakuimi nga një operacion special ushtarak./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala