Foto: Kallxo.com

59 kandidatë synojnë 7 pozita në Bordin e Këshillit për Trashëgimi Kulturore

Janë gjithsej 59 kandidatë që kanë konkurruar për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kosovës. 

Në fund të muajit maj Kuvendi i Kosovës hapi konkurs për zgjedhjen e 7 anëtarëve të Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore. Afati për konkurrim u mbyll më 9 qershor 2020. 

Kuvendi i Kosovës ka konfirmuar për KALLXO.com se 59 kandidatë kanë konkurruar në konkursin për anëtar të KKTK-së. 

Procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve do të kryhen nga Komisioni për Arsim, Shkencë, Inovacion, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës. 

“Gjithsej 59 kandidatë kanë konkurruar për anëtarë të Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore. Dinamika e përmbylljes së procesit të përzgjedhjes është kompetencë e komisionit funksional. Mënyra e intervistimit dhe lista me emrat e kandidatëve që i plotësojnë kriteret, përmes Kryesisë i adresohet seancës plenare, për vendimmarrje”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit të Kosovës.  

Dy ditë më parë Komisioni ASHTIKRS zhvilloi një takim, ku në rend dite kishte edhe çështjen e përzgjedhjes së kandidatëve për KKTK. Por, shkak disa anëtarëve të këtij komisioni janë prekur nga COVID-19, dhe detyroi komisioni që mbledhjen ta zhvillojë në mënyrë virtuale. Pas takimit virtual të Komisioni për Kulturë, Kuvendi nuk dha detaje nëse komisioni ka diskutuar edhe për zgjedhjen e anëtarëve të KKTK-së. 

Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore është organi më i lartë në vende për trashëgiminë kulturore, i cili vlerëson ndër të tjerash edhe asetet të cilat duhet të hyjnë në listë të përhershme të trashëgimisë së mbrojtur.  

Në korrik 2018 kishte skaduar mandate i përbërjes së kaluar të anëtarëve të KKTK-së dhe që atëherë Kuvendi i Kosovës, si themeluesi i këtij institucion, nuk ka hapur konkursin për përbërjen e re të Bordit të KKTK-së.  

Bordi i KKTK-së përbëhet nga shtatë (7) anëtarë të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës se Kosovës më mandat tri (3) vjeçar, duke respektuar përbërjen etnike në Kosovë.  

Anëtarët e Bordit zgjedhin Kryetarin. Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore – KKTK është agjenci e pavarur e themeluar në përputhje me nenin 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në bazë të Ligjit Nr. 02/L-88 Për Trashëgimi Kulturore.