Prizreni

Foto: Denis Sllovinja

Asetet që u propozuan për mbrojtje të përhershme, MKRS dhe KKTK nuk tregojë cilat janë objektet

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore nuk kanë treguar se cilat astet të trashëgimisë kulturore janë propozuar për t`u bërë pjesë e listës së mbrojtjes së përhershme nga shteti.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka dorëzuar dy ditë më parë në Këshillin e Kosovës për Trashëgiminë Kulturore (KKTK) dosjet e 54 asteve të trashëgimisë kulturore.

Këto 54 asete nga fusha e trashëgimisë arkitektonike dhe arkeologjikë, pritet t’i bashkohen 23 aseteve tjera që tashmë janë në mbrojtje të përhershme nga shteti.

Sipas ligjit për Trashëgiminë Kulturore, KKTK-ja është i obliguar që të shqyrtojë dosjet dhe më pas do të vlerësojë nëse janë apo jo të gatshme që këto 54 astet të futen në Listën e mbrojtjes së përhershme të Trashëgimisë Kulturore.

As MKRS e As KKTK nuk kanë treguar se cilat asete janë propozuar për mbrojtje të përhershme.

Zanita Halimi, kryetare e KKTK-së i ka thënë KALLXO.com se s’mund të jap ndonjë informacion lidhur me asetet pa u bërë vlerësimi fillestar i dosjeve.

Ky vlerësim, sipas saj, pritet të nisë në fillim të 2022.

“Vlerësimin (dosjet e 54 aseteve) e fillojmë vitin tjetër, njëherë pa e bërë vlerësimin fillestar s’ mund t’iu informojmë për afatet kohore dhe asetet. Por, gjithsesi i gjithë procesi do të jetë transparent dhe do t’ ju informojmë me kohë”, ka thënë Halimi.

MKRS nuk i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com lidhur me astete e propozuar për mbrojtje.

Në konferencën e fundvitit, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku bëri të ditur se ministria ka dërguar 54 dosje të aseteve të trashëgimisë kulturore për vlerësim për listën e mbrojtjes së përhershme.

“Sot kemi dorëzuar 54 dosje të aseteve të trashëgimisë kulturore për mbrojte të përhershme në KKTK dhe me ritëm të shtuar do të vazhdojmë edhe gjatë viti të ardhshëm”, ka thënë Çeku gjatë konferencës, por pa dhënë hollësi të tjera.

Sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, MKRS është e obliguar që astet që përzgjedh për t’i bëjë pjesë të listës së përhershme të mbrojtjes, fillimisht duhet të marrin miratimin e KKTK-së.

“Asetet e trashëgimisë kulturore të propozuar për mbrojtje të përhershme do t’ i paraqiten Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për rishikim, adaptim ose refuzim. Vendimi për përfshirjen e objekteve nё listën e trashëgimish kulturore nёn mbrojtje tё përhershme tё përcaktuar nga KKTK, nënshkruhet nga ministri me ç’rast hyn nё fuqi mbrojtja e përhershme e tyre me kёtё ligj. Lista e trashëgimisë kulturore do tё jetë e hapur për publikun”, thuhet në nenin 4, pika 3 dhe 4 të ligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Aktualisht, Lista e aseteve të Trashëgimisë Kulturore për mbrojtje të përhershme përbëhet prej 23 aseteve të trashëgimisë.  Kjo listë ishte miratuar në 2016.