Raportimi i KKTK-së në KASHTIKRS. Foto KALLXO.com

KKTK raporton në Kuvend, akuzohet për veprime antiligjore

Deputetja Eliza Hoxha i ka akuzuar anëtarët e Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore për veprime antiligjore gjatë emërimeve në administratën e KKTK-së.

Sipas deputetes Hoxha edhe emërimi i ushtruesit të detyrës së Udhëheqësit ekzekutiv (udhëheqësit të sekretariatit të KKTK) është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.

“Ju keni bërë një tejkalim në hierarkinë e udhëheqësve, të ulët, të mesëm dhe të lartë. Është dashur që ta zgjidhni udhëheqësin ekzekutiv në bazë të konkursit, që e keni hapur, e jo të emëroni një zëvendësues në këtë pozitë në mënyrë të jashtëligjshme”, ka thënë Hoxha.

Këto akuza deputetja Eliza Hoxha i bëri sot gjatë raportit të Bordit të KKTK-së në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë dhe Sport të Kuvendit të Kosovës.

Por, Zanita Halimi, kryetare e KKTK-së ka thënë se këshilli e ka gjetur në gjendje të keqe administratën e këtij institucioni.

Ajo ka thënë se kanë kërkuar edhe ndihmën e institucioneve tjera për të vënë rregull sa i përket pozitave të stafit të administrtës në KKTK-së.

“Kemi mendu që nuk kemi bërë asgjë që i tejkalon pozitat tona. Ne e kemi ftuar Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, Auditorin e Përgjithshëm për të bërë validitimin e pozitave në sekretariat, i kemi ftu gjithë mekanizmat për të parë ku jemi, ndërkohë kemi ftu edhe Ambasadën Britanike për të monitorua procesin për udhëheqësin ekzekutiv”, ka thënë Halimi.

Hamili ka thënë se veprimet e deritashme që janë marrë nga këshilli nuk kanë ndonjë prapavijë, por vetëm funksionimin ligjor të KKTK-së.

 

Raportimi i KKTK-së në KASHTIKRS. Foto KALLXO.com

Gjatë raportimit të sotëm të Bordit të KKTK-së, deputetët janë njoftuar për punën që po bën KKTK-ja në krijimin dhe harmonizimin e infrastrukturës ligjore për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe për vetë KKTK-së.

“KKTK është duke punuar në grupe punuese për krijimin dhe harmonizimin e infrastrukturë ligjore sekondare të trashëgimisë kulturore. Një prej çështjeve me rëndësi që është duke u rregulluar është edhe perimetri i mbrojtjes i aseteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Zanita Halimi.

Deputetët ngritën shumë çështje dhe kërkuar informacioni lidhur me tremujorin e punës së KKTK-së, dhe kërkuan zbatueshmërinë ligjore nga këshilli, sidomos plotësimin e kuotës ligjore kur është në pyetje punësimi i komuniteteve jo shumicë në këshill.

“Kërkojë që këshilli të plotësojë kuotë ligjore për komunitetet jo shumicë tek të punësuarit në stafin civil në KKTK-së”, ka thënë deputeti Enis Kervan.

Deputetët po ashtu i ofruan bashkëpunim dhe ndihmë KKTK-së për çështje të ndryshme.