Përzgjidhet lista e kandidatët për anëtarë të Bordit të KKTK-së

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës ka përzgjedhur sot listën prej 7 kandidatëve për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Këshillit të Kosovës për Trashëgiminë Kulturore.

Zanita Halimi, Arianit Buçinca, Sadik Krasniqi, Premtim Alaj, Valon Gërmizaj, Ifeta Nikoçeviq dhe Slagjana Boshkoviç, janë kandidatë që komisioni i ka rekomanduar për votim në Kuvend të Kosovës.

Deputeti Ardian Gola, kryetar i Komisionit për ASHTIKRS ka thënë për KALLXO.com se komisioni i ka rekomanduar 7 kandidatë, të cilët javën e ardhshme do të votohen në Kuvend.

“Tani vetëm pritet fazat procedurale, në të cilat pashmangshëm duhet të kalohet, fillimisht kalon në Kryesi të Kuvendit dhe pastaj Kryesia e futë në rendin e ditës dhe me shumë gjasë, javën e ardhshme do të votohet në Kuvend për emërimin e tyre”, ka thënë Gola.

Në fund të muajit maj, Kuvendi i Kosovës kishte rihapur konkursin për zgjedhjen  e anëtarëve të Bordit të KKTK.

Në këtë konkurs kanë konkurruar 40 kandidatë, ndërsa të përzgjedhurit nga parlementarët votohen në pako.

Që nga korriku i 2018, KKTK ka mbetur pa Bordin drejtues.

Bordi i KKTK-së përbëhet nga shtatë (7) anëtarë të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës se Kosovës më mandat tre (3) vjeçar, duke respektuar përbërjen etnike në Kosovë.

Këshilli i KKTK -së është agjenci e pavarur e themeluar në përputhje me nenin 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në bazë të Ligjit Nr. 02/L-88 për Trashëgimi Kulturore.

Detyrat dhe përgjegjësitë e KKTK-së burojnë në bazë të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe janë në bashkëpunimi me Këshillin Zbatues dhe Monitorues në lidhje më trashëgiminë kulturore dhe fetare sipas Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.