Paqartësitë për Listën e Trashëgimisë Kulturore për mbrojtje të përhershme

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore kanë dhënë versione të ndryshme rreth propozimeve të aseteve të Trashëgimisë Kulturore për t`u futur në listën e përhershme të mbrojtjes, për 2021.

Përderisa zyrtarë të MKRS kanë thënë për KALLXO.com se kanë dërguar dhjetëra dosje të asteve të trashëgimisë kulturore të propozuara për t`u trajtuar nga KKTK për tu furur në listë të përhershme të mbrojtjes, këta të fundit kanë thënë se ende nuk kanë marrë ndonjë propozime për trajtim nga ministria.

Zanita Halimi, kryetare e KKTK-së, ka thënë për KALLXO.com se deri tani në këshill nuk ka shkuar ndonjë dosje për shqyrtim.

“MKRS është duke punuar në kompletimin e dosjeve, në KKTK deri më tani nuk ka ardhur asnjë dosje për shqyrtim. Besoj së këtë do ta bëjnë gjatë këtij viti”, ka thënë ajo.

Por, në një përgjigje të MKRS për KALLXO.com thuhet se janë dërguar dosjet dhjetëra aseteve të trashëgimisë për trajtim në KKTK.

“Bashkëngjitur gjeni dokumentet që tregojnë se cilat asete janë dërguar në Këshillin e Kosovës për Trashëgiminë Kulturore si dhe vendimin për komisionin për vlerësimin e dosjeve. Asetet janë më sa vijon: QRTK- Prishtinë  – 5 dosje; QRTK- Mitrovicë  – 11 dosje; QRTK- Gjilan – 10 dosje; QRTK- Gjakovë –  21 dosje; QRTK- Prizren – 11 dosje dhe QRTK- Pejë –  10  dosje”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së, bashkëngjitur me propozimet e Qendrave Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (QRTK) të aseteve për futjen në mbrojtje të përhershme.

Sipas MKRS futjes e këtyre aseteve të propozuar në listën e përhershme të mbrojtjes bëhet pasi trajtohen dhe miratohen nga KKTK-ja.

Ligjërisht MKRS-ja është e obliguar që të dërgojë në KKTK asetet e propozuar për tu bërë pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore për mbrojtje të përhershme.

Ndërsa, KKTK-ja i trajton dhe vendos nëse  asetet e propozuara të mund të bëhën apo jo, pjesë e kësaj liste.

Sipas, Rregullores nr.02/2016, për vlerësimin dhe shpalljen e trashëgimisë nën mbrojtje të përhershme, KKTK-ja merre në shqyrim për listën e përhershme vetëm ato asete që janë vlerësuar nga institucionet kompetente të MKTS-së dhe janë pjesë e listës së përkohshme të mbrojtjes.

“KKTK-ja nuk do të pranojë propozimet më të vjetra se gjashtë muaj nga dita e shpalljes në mbrojtje të përkohshme, nga data e pranimit të të propozimeve”, thuhet në nenin 2.6 të Rregullores së KKTK-së për vlerësimin dhe shpalljen e Trashëgimisë Kulturore në mbrojtje të përhershme.

Deri më tani vetëm 23 asete të Trashëgimisë Kulturore janë në mbrojtje të përhershme.

Lista e aseteve të Trashëgimisë Kulturore për mbrojt të përhershme është aprovuar në vitin 2016.