Nijazi Kryeziu në Gjykatë
Njazi Kryeziu del para gjykatës nën akuzë se lidhi kontratë pa tender
Kryesues i Asamblesë Komunale në Prizren, Drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, këshilltar i ish – Kryeparlamentarit Kadri Veseli, janë detyrat të cilat Njazi Kryeziu i ka mbajtur në të kaluarën.
Sot në cilësinë e të akuzuarit doli para Gjykatës së Prizrenit, për tu përballur me akuzat se ka lidhur kontratë pa tender në kohën sa punonte në komunë.
“ I papunë “ u deklarua i akuzuari Njazi Kryeziu para gjykatës, i cili pos kësaj aktakuze është një ndër të akuzuarit edhe në rastin “ Pronto”.
I njëjti kur u pyet nga gjyqtarja Raima Elezi lidhur me fajësinë për akuzat e Prokurorisë tha se “ unë e ndiej veten plotësisht të pafajshëm”.
Njazi Kryeziu po akuzohet për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, kur ishte Drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish – kryetarit Ramadan Muja.
Prokuroria e akuzon Kryeziun se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me TV Opinion për emitimin e spoteve reklamuese për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorië së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.
Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 Janar deri më 31 Dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.
Përpos Njazi Kryeziut edhe dy ish- drejtorë tjerë janë akuzuar për veprime të ngjashme, për lidhjen e kontratave dhe pagesa pa tender me televizionet lokale.
Hasan Hasani, i cili u akuzua në cilësinë e ish- Drejtorit të Urbanizmit, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 3 mijë euro.
Ndërsa Ertan Simitçi që edhe gjatë qeverisjes së Mytaher Haskukës ishte emëruar Drejtor i Financave, ka dhënë dorëheqje pikërisht për aktakuzën që është ndaj tij për lidhjen e kontratave pa tender me televizionet lokale.
Simitçi ka mohuar akuzat e Prokurorisë, duke mos e pranuar fajësinë për veprat që i ngarkohen.