ARKIV - Ilustrim: Nga një protestë kundër dhunës ndaj grave FOTO ARKIV: KALLXO.com

Mbahet protestë kundër vrasjeve të grave dhe vajzave

Në Tiranë sot protestohet kundër vrasjeve të grave dhe vajzave. Kjo protestë qytetare organizohet në emër të atyre grave dhe vajzave të cilat folën por nuk u dëgjuan.

Fildez Hafizi kishte një urdhër mbrojtjeje por u vra, Ariela Murati u vra rrugës për në rajonin e policisë, pas një sërë kërcënimesh, Xhuljeta Çuni u vra edhe pse e kishte kallëzuar vrasësin e saj plot 4 herë edhe Adriana ishte një grua e dhunuar sistematikisht nga bashkëshorti i denoncuar dhe ky por i lënë i lirë, derisa i mori jetën gruas, se nuk i hapi dritaren.

Grupi organizator, kërkojnë që autoritetet t’i marrin seriozisht denoncimet e vajzave dhe grave për dhunë apo përndjekje, në mënyrë që të mos përsëriten raste të tilla.

“Kërkojmë që media të mos romantizojë rastet e tilla duke i quajtur krime pasioni. Gjithashtu kërkojmë që personat e dënuar për dhunë apo krime në familje të mos përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të protestës./rtv21/