MAShTI: Nga shtatori klasat 3, 8 dhe 12 me tekste të reja

Zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, ka bërë të ditur se fillimi i vitit të ri shkollor 2021/22 do të fillojë me tekste të reja shkollor për nxënësit e klasave 3, 8 dhe 12.

“Jemi në proces të botimit të teksteve për klasat 3, 8 dhe 12 të cilat në muajin shtator pritet të jenë në duart nxënësve tanë”, tha ajo në një konferencë për media.

Ajo shtoi se presin që në muajin shtator mësimi të fillojë i rregullt me prezencë në shkollë, derisa theksoi se mësimdhënësit që nga ky vit do të mund të përdorin tekste alternative.

“Nga viti i ardhshëm po ashtu do të hyjnë në funksion edhe tekstet alternative, pra për këtë vit për herë të parë mësimdhënësit do të mund të zgjedhin tekste alternative që konsiderohen nga ata dhe aprovohen nga Këshilli i Shkollës dhe konsiderojmë se është një aktivitetet shtesë në përmirësimin e cilësisë në arsim”, tha Maloku-Bërdyna.

Sipas saj, këto tekste janë miratuara në vitin 2019 dhe pret që mësimdhënësit ti analizojnë të gjitha tekstet e miratuara nga recensentët dhe në fund të vendosin se cilat janë më të përshtatshme për kurrikulën.