perparim rama

Masat e Komunës së Prishtinës për punonjësit për të parandaluar përhapjen e COVID-19

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se dje në mbledhjen e shtabit emergjent për menaxhimin e pandemisë janë marrë një sërë vendimesh për të parandaluar përhapjen e rasteve të COVID-19.

Në mesin e vendimeve është edhe ai që puna organizohet vetëm me staf esencial.

Për të hyrë në ambientet e punës në Komunë, punonjësit duhet të kenë certifikatën e vaksinimit me së paku 2 doza, personat që nuk mund të vaksinohen për shkak të sëmundjeve të tyre duhet të kenë vërtetimin e mjekut si dhe testin RT-PCR negativ jo më të vjetër se një javë.

Një prej vendimeve thotë se administrata obligohet të sigurojë dezinfektues dhe maska, si dhe të dezinfektojë dhe ajrosë hapësirat e mbyllura.

Vendimet e marra nga shtabi emergjent janë si në vijim:

– Të organizohet puna vetëm me staf esencial;

– Të gjithë punonjësit e Komunës së Prishtinës, ndërmarrjeve publike lokale, duhet të posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në ambientet e punës: 1. Çertifikatën e vaksinimit me më së paku dy doza kundër COVID-19; 2. Personat me dëshmi mjekësore nga mjeku specialist i fushës se kanë kundërindikacione dhe janë të liruar nga vaksinimi, duhet të posedojnë testin RT- PCR negativ për COVID 19 jo më të vjetër se një javë.

– Administrata është e obliguar të caktojë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura më lart;

– Obligohet Administrata të ofrojë  dezinfektues për duar dhe një sasi të maskave në vende të qasshme në hyrje të objekteve të Komunës si dhe në ambientet e brendshme;

– Obligohet Administrata që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga COVID-19.

– Obligohet Administrata që të kryej dezinfektimin dhe ajrosjen e hapésirave të mbyllura;

– Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë;

– Procesi edukativ-arsimor në institucionet parashkollore dhe të qëndrimit ditor zhvillohet sipas rekomandimeve për institucionet parashkollore të IKShPK të datës 20.01.2022;

– Të mbyllen qendrat për të moshuarit, deri në vendimin e ardhshëm.

Në Kosovë ditëve të fundit ka pasur numër të madh të rasteve të infektuar me COVID-19. Vetëm në 24 orët e fundit sipas ministrisë së Shëndetësisë janë shënuar 2.957 raste me COVID-19.