Vjosa Osmani, Foto: Facebook

Masakra e Mejës, Osmani: Dëshmi e synimit të tmerrshëm të një shteti për vrasjen kolektive të një populli

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, ka përkujtuar masakrën e Mejës në Gjakovë, në të cilën në vitin 1999 nga forcat serbe u vranë rreth 377 shqiptarë, përfshi pleq e fëmijë.

Osmani është shprehur se Meja është plagë e përhershme dhe supas saj duhet të peshojë rëndë në ndërgjegjen e regjmit serb.

“Meja është plaga jonë e përhershme, por edhe gurë që duhet të peshojë rëndë në ndërgjegjen e regjimit serb, të djeshmit, i cili në mënyrë të planifikuar i ndau e i vrau bijtë tanë, i fshehu ose i zhduku përjetësisht kufomat e tyre, sikur edhe i këtij të sotmit, i cili vazhdon të jetojë mbi krimet e kryera nga shteti i tyre, pa e vrarë ndërgjegjen dhe pa u kërkuar falje viktimave”- ka deklaruar Osmani.

Presidentja tha se të vrarët e Mejës janë viktima të gjenocidit serb dhe u shpreh se Meja është dëshmia e pamohueshme e një synimi të tmerrshëm të një shteti për vrasjen kolektive të një populli.

“Prandaj, e themi zëshëm, këtu e përditë: të vrarët e Mejës janë viktima të gjenocidit serb të kryer në Kosovë. Ky gjenocid duhet të njihet me emrin e vërtetë. Meja është dëshmia e pamohueshme e një synimi të tmerrshëm të një shteti për vrasjen kolektive të një populli, por edhe thirrja e përhershme e jona për ta artikuluar kumbueshëm thirrjen tonë për drejtësi”- ka deklaruar Osmani.

“Në Mejë ka ende varre të hapura, ka nëna që vijnë aty dhe qajnë pranë varrit të zbrazët, sepse regjimi serb ende i mban të fshehura të dhënat për vendndodhjen e të vrarëve të Mejës e të gjithë Kosovës”- ka shtuar ajo.

Më 27 prill në Kosovë shënohet është Dita e të Zhdukurve me Dhunë në luftën e fundit në Kosovë, ku ndër të tjera përkujtohet edhe masakra në Mejë të Gjakovës, në të cilën në vitin 1999 u vranë rreth 377 shqiptarë, përfshi pleq e fëmijë.