Martesa për viza, rrëfimi i shtetases për martesën në Prishtinë

Një shtetase franceze tash e një kohë po përballet siç pretendon ajo me dhunë seksuale nga burri i saj kosovar.

Në shtator të këtij viti shtetasja franceze takoi një burrë ndërsa vetëm një javë më pas ishte martuar me të. Ajo rrëfeu në një intervistë për KALLXO.com njohjen me të ndërsa shpjegon se si ai fillimisht i kishte thënë se mund ta paguante 10 mijë euro që t’ia rregullonte dokumentacionin për të shkuar në Francë.

“Kur e kam takuar më ka thënë se është shumë e vështirë që të merret viza për të shkuar në Mbretëri të Bashkuar në Angli. Ai më ka thënë që mund ë më ofrojë 10 mijë euro që të martohem me të dhe ta sjellë në Francë”, rrëfen shtetasja franceze.

Ajo kishte refuzuar që të bënte një gjë të tillë duke ditur se kjo është e jashtëligjshme, por vazhdon rrëfimin duke treguar se kishin mbetur miq edhe pas kësaj bisede.

“Unë refuzova sepse kjo është joligjore, pastaj ai më tha në rregull . Ne vazhduam të takohemi si miq, ndërsa ai filloi të thoshte që unë i pëlqej atij, që ai më do mua për atë që jam dhe nuk ishte i interesuar që të shkonte në Francë dhe mos të ishte bashkë me mua. Unë i besova atij”, vazhdon të tregoj shtetasja franceze ndërsa shton se kur kishte filluar të kuptonte se ai ishte i interesuar për të.

“Ne vazhduam të takohemi si miq dhe kishte kaluar një javë tashmë që po takoheshim, pastaj ai filloi të shfaqte tendenca xhelozie, për shembull unë desha të shkojë në pishinë, unë e pyeta nëse ai dëshironte të vinte me mua por ai më tha se nuk do të vinte sepse nëse do të vinte do të rrahtë ndokënd, ngase ai më kishte dëgjuar derisa po flisnim në telefon që isha me disa burra aty”, shpjegon ajo rastin e saj.

Më pas siç tregon shtetasja franceze tanimë burri i saj e kishte puthur me forcë e më pas edhe e kishte njoftuar me familjarët e tij, e pas martesës kishin filluar edhe kërcënimet ndaj saj.

“Ai më tha: “Unë do të të vras nëse më braktis, unë do të të gjej, kam shumë miq në Prishtinë kam sy gjithkund, kështu që do të të gjej. Ai më kërcënoi edhe se do të më rrihte nëse do ta braktisja. Ai filloi të kontrollojë telefonin tim çdo ditë filloi të pyeste nënën e tij se ku isha çfarë isha duke bërë, me kë flisja”, vazhdon rrëfimi.

Madje shtetasja franceze rrëfen se burri i kishte kërkuar që të shkonte dhe të punonte për të në Gjermani e ta përdorte statusin martesor për të rregulluar dokumentacionin dhe të bëhej shtetas i huaj.

“Ai më tha se unë jam armikja e tij dhe nuk më konsideronte si grua. Më tha që dua të shkosh në Gjermani të fitosh para për mua, të punosh për mua në Gjermani dhe ta marrë atë me vete në Gjermani dhe të përdorim martesën tonë për të fituar statusin martesor”, vazhdon rrëfimin.

“Nuk kam pasaportë, ma ka marrë ai prapë”, tregon ajo duke shpjeguar se nuk ka asnjë dokument personal të cilin posedon.

Letrat apo dokumentacioni për tu bërë shtetas i huaji nëse martohesh me një shtetase të huaj, kishte qenë njëra nga synimet e burrit të saj.

“Ai më ka thënë se e vetmja mënyrë se si mund të jemi bashkë është nëse e dërgoj në Francë. Pasi që u martuam ai më tha që do të divorcohej nga unë nëse nuk do ta dërgoja në Francë. Ai më thoshte se nuk më do se jam e shëmtuar, ai thjeshtë dëshiron që ta dërgoj në Francë”, vazhdon rrëfimin ajo.

Pas këtyre kërcënimeve, shtetasja franceze rrëfen edhe dhunën seksuale që pretendon se i kreu burri pa dashje

“Pasi që u martuam, ai filloi që të më dhunonte. Ne u martuam më 29 shtator 2020 dhe pas kësaj ai filloi të mendoj që trupi im i takon atij dhe më shumë për faktin se tani ishim të martuar. Ai do të më bënte presion për të kryer seks anal se vaginal me të dhe nervozohej me mua më fyente deri sa të pranoja këtë dhe unë pranoja vetëm që britmat të merrnin fund”, tregon tutje ajo ndërsa shton edhe se kishte kërkuar nga ai të ndalonte për shkak se kishte dhimbje.

“Derisa ai po bënte seks anal me mua, unë kisha dhimbje dhe i kërkoja që të ndalonte, ai nuk ndalej por vetëm vazhdonte dhe pse i tregoja që kisha dhimbje. I tregoja që nuk mund të merrja frymë që po më zihej fryma, që po më vinte për të vjellë, por ai më thoshte që të mësohesha por nuk ndalej kur i thosha të ndalej”, vazhdon shpjegimi i shtetases franceze për marrëdhënien seksuale pa dëshirë me burrin e saj.

Në lidhje me këto pretendime të shtetases franceze, se nuk iu ofrua ekzaminimi mjekësor pasi kishte raportuar në Policinë e Kosovës se ishte dhunuar seksualisht nga burri i saj, KALLXO.com kishte kërkuar sqarime edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Prokurori i rastit, Armend Hamiti në një përgjigje të shkurtë për KALLXO.com nuk kishte dhënë detaje në lidhje me rastin duke thënë se janë ndërmarrë një varg veprimesh.

“Në pajtim me obligimet që dalin nga ligji dhe procedurat standarde të veprimit i kemi ndërmarrë një varg veprimesh hetimore të cilat për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimit dhe evitimit të çfarëdo mundësie për pengim të procedurës apo ndërhyrjes së jashtme, nuk kemi në gjendje të ofrojmë informacion të detajuar”, thuhet në një përgjigje të prokurorit për KALLXO.com.

Në emisionin e KALLXO.com i transmetuar mbrëmë, u dëgjuan rrëfimet e viktimave të dhunës në familje e të cilat raste nuk janë zgjidhur ende, e të dyshuarit janë të lirë.

Pas rrëfimit të shtetases franceze KALLXO.com transmetoi edhe një intervistë të një gruaje e cila rrëfeu se burri i saj është zyrtar policor e edhe recidivist i dhunës në familje.