Marrëveshja Kosovë - Mal i Zi për shërbime ajrore, koha e fluturimit shkurtohet për 15 minuta

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar sot një marrëveshje për shërbime ajrore.

Në një konferencë të përbashkët për media, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq thanë se marrëveshja ajrore do të lehtësojë qarkullimin ajror mes dy vendeve.

Kurti, si nikoqir, tha se gjatë takimit u biseduan edhe tema të tjera.

“Mali i Zi e njohu Pavarësinë e Kosovës që në vitin e shpalljes në 2008-ën dhe sot punojnë ngushtë si dy shtete fqinje për paqe. Jemi mirënjohës qe në kohë të vështira Mali i zi u bë strehë shpëtimi për mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës që u dëbuan nga fushata e gjenocidit dhe spastrimit etnik nga regjimi i Milloshoviqit në 1998-99. Shteti dhe qytetarët e Kosovës janë mirënjohës dhe nuk do ta harrojnë asnjëherë solidaritetin” – deklaroi Kurti para gazetarëve të premtën.

Tutje, shefi i qeverisë kosovare tha se shtetasit e Kosovës nuk janë vetëm pushues në Mal të Zi, por edhe investitorë.

“Sot, qytetarët e Kosovës janë jo vetëm pushuesit e vizitor në bregdetin e qyteteve të Malit të Zi por edhe investitor të rëndësishëm të cilët i kontribuojnë ndërlidhjes ekonomike mes dy vendeve tona.  Në vitin e fundit kemi rritje të shkëmbimit tregtar me Malin e Zi krahasuar me vitin 2021, në vitin 2022 eksportet e Kosovës me Malin e Zi janë rritur për 55 për qind” – tha ai.

Ndërsa, sa i përket marrëveshjes së sotme, të nënshkruar nga dy krerët e qeverive, Kurti tha se ajo do të shkurtojë rrugën ajrore për 15 minuta.

“E rëndësishme sot, marrëveshja për shërbime ajrore në mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi, është hap i rëndësishëm po aq i domosdoshëm për rregullimin e hapësirës ajrore mes dy republikave tona. Marrëveshja që nënshkruam sot ofron mundësi të reja të aviacionit civil, mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore dhe kohës së fluturimit për 15 minuta. Një kompani ajrore që ka fluturuar katër herë në ditë lirisht mund ta shtojë edhe një fluturim” – deklaroi Albin Kurti.

“Deri më tani korridoret hyrëse dhe dalëse ekzistuese ndërmjet dy vendeve shfrytëzoheshin vetëm për fluturimet ushtarake të NATO-s” – tha ai.

Gjatë takimit, u tha se u bisedua edhe për projektet infrastrukturore ndërmjet dy vendeve, për rrugët Deçan – Plavë dhe Pejë – Rozhajë.