Malishevë, vdes në aksident trafiku një 14-vjeçar

Një i mitur ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku në fshatin Joviq të Malishevës.

Sipas zëdhënësit të Policisë në rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, viktima ka qenë duke ngasur motoçikletën në momentin kur është ndeshur me një automjet udhëtarësh.

Rasti ka ndodhur sot rreth orës 14:20.

“Rreth orës 14:20 kemi pranuar informatë për aksident trafiku në fshatin Joviq-Malishevë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku të përfshirë në aksident kanë qenë një automjet udhëtarësh dhe një motoçikletë. Për pasojë ngasësi i motoçikletës (i mitur) ka ndërruar jetë. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit në konsultim me të cilin rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt”- ka konfirmuar Elezaj për KALLXO.com

Për vdekjen e të miturit ka reaguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës, pasi viktima ishte futbollist.

“Në këto momente të vështira jemi pranë familjes Berisha, me shpresë që kujtimet e bukura dhe sukseset e Drinorit do të jenë burim ngushëllimi dhe force për ta përballuar këtë dhimbje të madhe. Në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe tërë komunitetit të futbollit ju dërgojmë ngushëllimet tona më të thella dhe të sinqerta” – thuhet mes tjerash në telegram ngushëllimi të FFK-së për vdekjen e 14-vjeçarit.

Ngushëllime ka shprehur edhe shkolla e futbollit FC Malisheva, pjesë e të cilit ishte viktima.