Ndërprerja e energjisë elektrike Foto: KALLXO.com Foto: KALLXO.com

Malisheva pa energji elektrike, reagon kryetari Ekrem Kastrati

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati ka reaguar pasi tash e sa ditë disa fshatra të kësaj komunë janë përballur me mungesë të energjisë elektrike me orë të tëra.

Kastrati u ka bërë thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurti, ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe KEDS-it që të ndërmarrin masa urgjente që Malisheva të furnizohet me energji elektrike.

“I bëj thirrje kryeministrit Kurti, ministres Rizvanolli, KOSTT-it/KEDS-it, që të marrin masa urgjente, që Malisheva të furnizohet me energji elektrike, në mënyrë të barabartë si çdo komunë e Kosovës. Mos na diskriminoni, por veproni sepse qytetarët e Malishevës, nuk e durojnë poshtërimin që po ua bëni” – ka shkruar kryetari Ekrem Kastrati.

Kastrati thotë se ky është viti i dytë që Malisheva në sezonin e dimrit përballet me mungesë të energjisë elektrike.

“Është viti i dytë më radhë që pikërisht në sezonin e dimrit, Malisheva bashkë me qytetarët e saj, mërgimtarët dhe bizneset, marrin goditjen më të rëndë të mundshme, atë të mungesës së energjisë elektrike, për më shumë se 20 orë pa rrymë”- është shprehur i pari i Malishevës.

Mbrëmë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), njoftoi se për shkak të mbingarkesave në rrjet është ndërprerë furnizimi me energji elektrike në komunën e Malishevës.

KEDS theksuan se ekipet e tyre janë në kërkim të prishjes por që sipas tyre, për shkak të mjegullës ju është vështirësuar intervenimi.