Ekrem Kastrati- kryetar i Malishevës/ Foto: Ekrem Kastrati, Facebook
Siguria publike e Malishevës nën udhëheqjen e Ekrem Kastratit
Kreytari i Malishevës, Ekrem Kastrati, në debatin për zgjedhjet lokale të vitit 2021 ‘Debat Përnime’, nuk kishte marrë pjesë për t’u përballur me kundërkandidatët e tij.
Ai edhe pse e kishte pranuar ftesën për debat, në fund nuk ishte paraqitur.
Megjithëkëtë, Kastrati është përkujdesur që të mos jap shumë premtime sa i përket sigurisë publike në komunën e tij.
Një vit që pasi ka marrur mandatin në krye të Malishevës, drejtori i tij për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shqipron Shala, thotë se gjendja e sigurisë publike në komunën e Malishevës në përgjithësi është shumë e qetë.
Duke folur për vendosjen e kamerave të sigurisë nëpër qytet, Shala thotë se vetëm një pjesë e vogël e qytetit ka mbetur pa u mbuluar me kamera. Ai thotë se ‘është në plan’ që të mbulohet edhe ajo pjesë e mbetur.
“Për çështjen e kamerave të sigurisë, vetëm një pjesë e qytetit nuk është e mbuluar. Të gjitha pjesët e tjera të qytetit janë të mbuluara me kamera. Ka qenë në proces edhe pjesa tjetër, por për shkak të disa punëve, bashkë me stacionin e policisë e kemi lënë për një afat të shkurtër kohor me i kry edhe ato” – ka thënë Shala për KALLXO.com.
Ai ka thënë se për vitin 2023 janë ndarë një shumë simbolike prej 16 mijë eurove, për të sanuar lokacionet ku mund të ketë shembje të dheut apo vërshime.
“Vendet që e kemi konstatu se duhet të intervenimi bashkë me zyrtarët e drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, e kemi ndarë një shumë prej 16 mijë eurove që duhet me intervenu dhe me i sanu problemet që ne mendojmë se shkaktojnë shembje të dheut ose vërshime”.
Ndërsa në lidhje me qentë endacakë, drejtori Shala ka thënë se Komuna e Malishevës nuk ka një plan konkret për të zgjidhur problemin e tyre. Ai thotë se nuk është ndarë as ndonjë shumë për vitin 2021 për këtë problem.
“Për qentë endacakë, ende nuk ka një plan të saktë për me bo largimin e tyre, për shkak se në të kaluarën ka qenë një projekt më duket prej ndërkombëtarëve, mirëpo ka shku deri në një instancë që është dashtë me përfundu ai. Kështu që saktë definitiv nuk ka një plan njëherë për njëherë e as shumë nuk është nda për atë kategori” – ka thënë Shala.
Tutje, Shala ka bërë të ditur se në Malishevë është aktiv Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi dhe sipas tij, aty bëjnë pjesë Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, kryetari i komunës, Policia, FSK-ja dhe Bashkësia Islame.
Shala ka thënë se prej që është zgjedhur Kastrati në krye të komunës, nuk ka pasur asnjë rast të identifikuar me fenomenin e ekstremizmit, terrorizmit apo të radikalizmit.
“Realisht prej që ka filluar mandati i kryetarit Kastrati nuk ka pasur kësi lloj situatë të ekstremizmit, radikalizmit apo terrorizmit. Ka pasur shqetësime, një rast kohëve të fundit, në gjimnazin në fshatin Bubavec dyshohet se një person ka bërë ngacmim ndaj një vajze. Por gjatë mandatit nuk kemi pasur raste të theksuara në dhunë në familje”.
Shala krenohet me atë që sipas tij, Malisheva është ndër komunat më të qeta në Kosovë.
“Situata në komunën e Malishevës mundem me thonë që është ndër më të qetat në Kosovë, kështu që mundem me konstatu se nuk ka ndonjë rast specifik që mundem me cekë. Në përgjithësi situata vazhdon të jetë e qetë” – ka thënë Shala.
Komuna e Malishevës gjatë vitit 2022 nuk e ka pasur asnjë aktivitet që e ka organizuar apo përkrahur, që ka pasur liidhje me fenomenin e ekstremizmit, radikalizmit apo terrorizmit.
Sipas drejtorit Shala, kjo nuk ka ndodhur ndoshta sepse nuk ka pasur ndonjë situatë të tillë.
“Nuk e kemi pasur ndonjë aktivitet që ndërlidhet me këtë temë e që e kemi përkrahur financiarisht apo në mënyrë logjistike, ndoshta pse nuk kemi pasur është se fakti që nuk kemi pasur situata të tilla edhe më herët në komunën tonë. Gjithsesi në të ardhmen duhet me u bo, sepse është e mirë për vetëdijësimin e qytetarëve, mendoj që është e mirë për gjithë neve që të ndërmarrim këso hapa për kësi aktivitete që të japim një shembull të mirë”.
Buxheti i Komunës së Malishevës për vitin 2023 është rreth 18 milionë euro. Për ndriqimin publik janë parashikuar gjatë atij viti të shpenzohen 100 mijë euro.
Ndërsa për kategorinë ‘Zjarrfikësit dhe emergjencat’ në buxhetin e vitit 2023 për komunën e Malishevëës janë ndarë 201 mijë euro, ku 184 mijë euro janë për paga dhe 17 mijë euro janë për mallra dhe shërbime.