Malisheva e karantinuar vizitohet nga Komisioni i Posaçëm për parandalimin e COVID-19
Ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilja Rexhepi dhe zëvendësi i saj Reshat Nurboja, sot kanë vizituar Komunën e Malishevës, ku janë pritur nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe nënkryetari Hajdin Berisha.
Qëllimi i kësaj vizite ishte, njoftimi me situatën e përgjithshme në Malishevë, pas paraqitjes së rasteve të të prekurve me COVID-19.
“Ne jemi këtu sot, në emër të Komisionit të Posaçëm për parandalimin e COVID-19, me qëllim të solidarizimit me qytetarët dhe pushtetin lokal të Malishevës, dhe për tu njoftuar me situatën e përgjithshme, menaxhimin e situatës dhe për tu njoftuar me nevojat që ka Malisheva”, tha ministrja Rexhepi.
Kryetari I Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, pasi e falënderoi për vizitën dhe interesimin, e ka njoftuar ministren Rexhepi, me situatën e përgjithshme në Malishevë, gjatë këtyre ditëve.
“Kemi katër raste të konfirmuara me COVID-19, por jemi duke e menaxhuar mirë situatën, pasi në përpikëri po zbatojmë të gjitha udhëzimet që na janë dhënë, si dhe të gjitha vendimet e qeverisë. Ne i kemi marrë të gjitha veprimet për menaxhimin e situatës, brenda mundësive që kemi si komunë dhe pavarësisht situatës, ne do të angazhohemi maksimalisht dhe jemi 24 orë në shërbim të qytetarëve”, tha Begaj.
Ai po ashtu e njoftoi edhe me mungesën e mjekëve, pasi tre mjekë janë detyruar të vetizolohen, por edhe me mungesën e medikamenteve dhe në disa raste edhe të miellit, për familje të caktuara.
Rexhepi u siguroi se do të jetë 24 orë në shërbim për ofrimin e mbështetjes komunat, për çdo lloj emergjence që paraqitet.