Ilustrim

Mali i Zi arreston dy të dyshuar për krime lufte në Kosovë

Dy shtetas kosovarë, njëri 62-vjeçar e tjetri 48-vjeçar, janë arrestuar në Mal të Zi pasi që kanë qenë të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar për krime lufte.

Në një komunikatë për media Policia e Kosovës ka shpjeguar se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në kuadër të angazhimeve dhe detyrave ligjore të bashkëpunimit ndërkombëtar me shtetet tjera, ka shtuar aktivitetet nga fusha e bashkëpunimit ndërkombëtar me drejtorinë homologe të Malit të Zi, ku si rezultatet janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “Krime Lufte”.

“Pas koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve reciproke të Policisë së Kosovës me autoritetet kompetente të Malit të Zi, më datë 01.10.2023, autoritetet e Malit të Zi e kanë arrestuar në territorin e tyre personin e kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar me inicialet Z.V. (viti i lindjes 1961) shtetas i RKS-së, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës për veprën penale “Krime Lufte”” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Tutje është bërë e ditur se me 4 tetor autoritetet e Malit të Zi e kanë arrestuar në territorin e Malit të Zi personin e kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar me inicialet I.B., 48 vjeçar, i cili po ashtu është shtetas i Kosovës dhe është i kërkuar nga autoritetet e Kosovës për veprën penale “Krime Lufte”.

“Lidhur me rastet personat e arrestuar i janë nënshtruar procesit të ekstradimit nga shteti i Malit të Zi për në Republikën e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore”-thuhet në njoftimin e Policisë.