Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Makolli: Hartuam strategjinë që parashihte pagesë për mësimdhënësit në diasporë, por nuk vazhdoi

Ministri i parë i Diasporës, Ibrahim Makolli, në “Kallxo Përnime” ka folur për strategjinë e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë për diasporën.

Sipas tij, në këtë strategji ishin përfshirë të gjitha modalitetet përfshi edhe pagesën për mësimdhënësit që do të jepnin mësim në gjuhën shqipe në diasporë.

Sipas tij, kjo strategji nuk kishte vazhduar pas përfundimit të mandatit të tij dhe ai thotë se nuk i di arsyet pse.

“Në vitet ’70-80 kemi pasur një numër të vogël të mërgatës, ndërsa tash janë qindra mijëra, mos të them që e kalon milionëshin. Para se ta përfundoj mandatin e ministrit në 2014 është krijuar një grup punues ku kanë marrë pjesë ekspertë vendorë e nga diaspora e që kanë hartuar një strategji për përfshirjen e mësimit të gjuhën dhe kulturës së vendit të origjinës, ku i kanë paraparë të gjitha format, pagesat e modalitetet e tjera. Pasi që ne nuk mundemi vetëm si Kosovë, prandaj kjo ka qenë një ndërmarrje e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë”, tha Makolli në “Kallxo Përnime”.

“E kemi nënshkruar strategjinë bashkë me Ministrinë e Diasporës së Shqipërisë, por nuk e di se çka ka ndodhur me këtë strategji”, shtoi ai.