LSDM e BDI janë “pro” zgjedhjeve më 5 korrik, VMRO-DPMNE e quan “çmenduri”

Edhe përkundër asaj që këto 3 ditë numri i të infektuarve me COVID-19 është rritur në Maqedoninë e Veriut, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, vazhdon me idenë që zgjedhje të ketë sa më shpejt.

Duke qenë se gjendja e jashtëzakonshme të shtunën u vazhdua edhe për dy javë, tani afati më i afërt për zgjedhje është 5 korriku, që i bie 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Pikërisht për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, zgjedhjet janë zgjidhje ndërsa data për mbajtjen e tyre tashmë është punë e kryer. Ato do të mbahen më 5 korrik që sa më shpejtë që mundemi të kemi Kuvend dhe Qeveri politike. Problemet që i shkakton Naqe Çulev patjetër duhet t’i lëmë prapa, e kjo bëhet vetëm përmes zgjedhjeve”, tha Zoran Zaev, kryetar LSDM.

Zaev, që tashmë është në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Besa, tha se zgjedhjet më 5 korrik mund të mbahen me protokolle të veçanta për të ruajtur shëndetin e votuesve.

Tregoi po ashtu se LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë pasur komunikim të vazhdueshëm, e edhe pse ishin shumë afër për kompromis për datë, e sërish nuk ia dolën.

Nga partia e Hristijan Mickoskit e quajnë çmenduri dëshirën për të pasur zgjedhje në kohë pandemie.

Qëndrimi i tyre është që zgjedhje të këtë në fund të gushtit ose fillim të shtatorit.

“Zoran Zaev dhe Komisioni i tij për sëmundje Ngjitëse që vepron partiakisht, drejtpërdrejt po e shtyjnë popullin në vrasje të organizuar që ata e quajnë ‘zgjedhje’. Aktrojnë normalen në kushte kur nga 60 qytetarë në ditë infektohen dhe disa vdesin. Zoran Zaev dhe LSDM janë direkt përgjegjës për përhapjen e COVID-19”, tha Naum Stoilkovski, zëdhënës VMRO-DPMNE.

Bashkimi Demokratik për Integrim bazohet në dy parime kur bëhet fjalë për datën.

Zëdhënësi integrist thotë se për ta gjendja shëndetësore është me prioritet, ndërsa konsensusi i domosdoshëm.

“Nëse flasim për datat, po, qëndrimi është se 5 korriku është data e fundit nëse mbahen zgjedhjet këtë verë, por mendoj që këto dy javë duhet të fokusohemi në gjendjen shëndetësore, t’i ndjekim trendet epidemiologjike”, tha Bujar Osmani, zedhënës BDI.

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi po ashtu është i qëndrimit se zgjedhje duhet të ketë 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Mendoj sinqerisht se duhet të kemi zgjedhje, duhet të dallim prej kësaj situate. Sidomos neve shqiptarëve shumë na nevojiten zgjedhjet sepse duhet ta largojmë prej institucioneve BDI-në”, tha Menduh Thaçi, kryetar PDSH.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa si datë për zgjedhje kanë propozuar 26 korrikun, ndërsa ditë më parë për TV21 kreu i Alternativës Afrim Gashi pohoi se koalicioni është i  gatshëm të lëshojnë pe me qëllim që të arrihet konsensusi i nevojshëm./21Media

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!