Kadri Veseli- Foto: Atdhe Mulla

Lirimi i kriminelit të luftës nga Serbia, 'akt i turpshëm'

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka reaguar ndaj lirimit të parakohshëm nga burgu në Serbi të të dënuarit për krime të luftës në një masakër afër Podujevës në vitin 1999, Miodrag Solaja, duke e quajtur të turpshëm vendimin e gjykatave serbe.

Solaja u lirua nga burgu javën e kaluar, tri vjet para se ta vuajë dënimin e caktuar nga gjykata.

“Lirimi i parakohshëm i kriminelit të luftës Miodrag Sholaja, ish pjesëtar i njësisë “Akrepat”, është një akt i turpshëm që demaskon mungesën e vullnetit të Beogradit për të vënë drejtësi. Një vit më parë u lirua pa kryer dënimin e plotë, Sasha Cvjetani. Edhe ai nga e njëjta njësi famëkeqe që kreu masakrën e Podujevës, ku u masakruan 14 civilë, gjysma e të cilëve ishin të mitur”, tha Kadri Veseli në një reagim në Facebook.

Ai e kritikoi edhe heshtjen e Bashkimit Europian duke e akuzuar Brukselin për ‘standarde të dyfishta’ në çështje të drejtësisë që ka të bëjë me luftën e fundit në Kosovë.

“Është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes, dënimeve qesharake sa për sy e faqe e tanimë edhe për lirimin e parakohshëm të kriminelëve të luftës. Këtu duket qartazi se Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta”, tha Veseli.

Sipas tij, BE nga njëra anë po i toleron këto veprime, e në këtë mënyrë po i jep dritën e gjelbër Serbisë që të nëpërkëmbë drejtësinë, duke lënduar për herë të dytë familjarët e viktimave të masakrave.

“Nga ana tjetër misioni juridik i BE-së në Kosovë ka dënuar pa prova e fakte dhe po mban padrejtësisht në burg luftëtarë të lirisë siç janë ata të “Grupit Drenica”, tha Veseli.

“Kosova nuk duhet të lejojë qē historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin. Prandaj si kryeministër do i shkoj deri në fund iniciativës sime për një tribunal qē në kuadër të drejtësisë tranzicionale do i vendosë këta kriminelë para drejtësisë”, u shpreh Kadri Veseli.

Në vitin 2008, ai u dënua për pjesëmarrje në vrasjen e 14 civilëve në qytetin e Podujevës më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të një lufte 11-javore ajrore të NATO-s që dëboi përfundimisht forcat serbe nën drejtimin e Sllobodan Millosheviqit.

Pasi qëndroi në paraburgim për një vit, Solaja u dënua me 14 vjet burg, që u rrumbullakos me 15 vjet për dënimin e tij në një çështje tjetër, por Gjykata e Lartë e Beogradit urdhëroi lirimin e tij të parakohshëm më 23 korrik në një vendim të konfirmuar nga Gjykata e Apelit më 31 korrik.

Vendimi citoi një raport nga burgu i Sremska Mitrovicës, ku Solaja vuante dënimin e tij, duke thënë se ai kishte bërë “përparimin maksimal në trajtim”, se “risocializimi” i tij ishte i plotë dhe se ai kishte përmbushur qëllimet e përcaktuara në programin e trajtimit.

Lirohet para kohe autori serb i masakrës të cilës i mbijetoi Saranda Bogujevci

Akrepat ishin një nga një sërë njësish paraushtarake të rekrutuara për të luftuar së bashku me forcat e rregullta në luftën e Kosovës, në të cilën u vranë mijëra civilë shqiptarë të Kosovës dhe u dëbuan rreth 800 mijë të tjerë ndërsa Millosheviqi përpiqej të shtypte një kryengritje guerile.

Disa nga anëtarët e saj kishin përvojë luftarake në luftërat në Kroaci dhe Bosnje. Solaja, megjithatë, ishte vetëm 20 vjeç dhe nuk e kishte përfunduar shërbimin e tij ushtarak.

Ai tha se dëshironte të “ndihmonte në luftë, me shokët”, si dhe të merrte “çekun”.

Akrepat mbërritën në Podujevë më 28 mars 1999 për t’u bashkuar me Njësinë Speciale Serbe të Anti-Terrorizmit, SAJ.

Paraushtarakët duhej të vendoseshin në shtëpi të braktisura, por gjetën tre familje shqiptare në njërën prej shtëpive.

Qytetarët u rreshtuan pas në muri dhe u qëlluan për vdekje. Katërmbëdhjetë vdiqën, përfshirë shtatë të mitur. Më i riu ishte dy vjeç. Pesë fëmijë mbijetuan, përfshirë Saranda Bogujevcin, e cila u godit nga 16 plumba.

Katër vjet më vonë, Bogujevci, në atë kohë 18 vjeçe, dhe tre kushërinjtë e saj u bënë viktimat e para etnike shqiptare që dëshmuan para një gjykate serbe në një çështje krimesh lufte.

Gjykatat serbe kanë dënuar një total prej pesë ish-anëtarësh të Akrepave për masakrën e Podujevës.Sasa Cvjetan, kundër të cilit dëshmoi Bogujevci në vitin 2003, u la i lirë në mars të vitit të kaluar, pasi kishte kryer dy të tretat e një dënimi me 20 vjet burg. Bogujevci, tani deputete e Kosovës, e dënoi lirimin e parakohshëm të Cvjetanit si “të papranueshëm”.