Ligji për Buxhetin 2020 i dërgohet presidentit për dekretim

Dy ditë pas miratimit, Kuvendi i Kosovës ia ka dërguar Ligjin për Buxhetin 2020 presidentit të vendit Hashim Thaçi për dekretim.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, këshilltari i kryeparlamentares Vjosa Osmani, Artan Murati.

“Po, Ligji për Buxhetin sot i është dërguar presidentit”, ka thënë Murati për KALLXO.com.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Presidentit, për të kuptuar nëse presidenti Thaçi e ka dekretuar ligjin, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Rreth orës 2 të mëngjesit të se dielës së 15 marsit, Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin e vitit 2020, pas një seance maratonike disa orëshe.

Në tërsi buxheti është miratuar me 63 vota për. Buxheti i këtij viti është 2 miliardë e 357 milionë euro.

Në anën tjetër, miratimi i ligjeve është i përcaktuar në nenin 80 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në pikën 2 të këtij neni thuhet se Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe shpallet nga presidenti i Republikës së Kosovës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë ditësh pasi të ketë marrë ligjin.

“Nëse presidenti i Republikës e kthen ligjin në Kuvend, ai/ajo duhet të theksojë arsyet e kthimit të ligjit. Presidenti i Republikës së Kosovës të drejtën e kthimit të një ligji në Kuvend, mund ta ushtrojë vetëm një here”, thuhet në pikën 3.

Kurse, pika 4 përcakton se Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga presidenti i Republikës, dhe ligji përkatës konsiderohet i shpallur.

Ndërkaq, në pikën 5 thuhet se “Nëse presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare”.

“Ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligj nuk përcaktohet ndryshe”, thuhet në pikën 6 të nenit 80 të aktit më të lartë juridik në vend.