Qeveria miratoi projekt-buxhetin për vitin 2020

Është miratuar projekt-buxheti për vitin 2020 në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. 2 miliardë e 375 milionë euro pritet të jenë shpenzimet buxhetore të qeverisë Kurti.

Kështu tha në mbledhjen e qeverisë, Besnik Bislimi ministër i Financave dhe Transfereve.

“Gjithsej shpenzimet buxhetore për këtë vit pritet të jenë 2 miliardë e 357 milionë euro që është për 12.7 përqind më shumë se buxheti i realizuar për vitin 2019. Do të vëreni që buxheti për paga dhe mëditje ka një rritje shumë modeste, ne kemi paraparë një rezervë shumë të madhe për t`i akomoduar kërkesat që mund të dalin nga Ligji i Pagave”, tha ai.

Besnik Bislimi, ministër i Financave dhe Transfereve ka thënë se mbi 300 milionë euro kanë mbetur nga obligime të papaguara, për të cilat ai tha që janë një barrë shumë e madhe për buxhetin e ri.

“Ne si qeveri e re kemi trashëguar një masë të konsiderueshme të obligimeve të papaguara nga qeveria e kaluar dhe komunat në një total prej 328 milionë euro, këto obligime përbëjnë një barrë të madhe për buxhetin dhe në vend se në të fillojmë me implementimin e programimit tonë duhet t`i përdorim të hyrat për shlyerjen e obligimeve të papaguara”, tha ai.

Bislimi tha që me buxhetin e ri poashtu parashihet rritje ekonomike.

“Këto parashikime janë të bazuara në programin për reforma. Një rritje ekonomike për vitin 2020 në masën 2.4 përqind në terma real apo mbi 5 përqind në terma nominal. Në vitin 2020 të hyrat totale pritet të jenë 2 miliardë e 20 milionë euro, që del të kemi një rritje”, theksoi ai.

LIVE – Mbledhja e Qeverisë

LIVE – Mbledhja e Qeverisë

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 10 mars 2020

Albulena Haxhiu ministre e Drejtësisë pyeti nëse janë përshirë 2 milionë euro për mbrojtje në arbitrazh.

“Ministria e Drejtësisë do të përballet me 2 arbitrazhe, me Iute Credit dhe Bedri Selmani që ka paditë Republikën e Kosovës. Deshta të di nëse janë përfshi 2 milionë euro nga kërkesa e Avokaturës shtetërorë”, tha ajo.

Besnik Bislimi tha se “Ne kemi vendosë 1.1 milionë euro shtesë të avokati i shtetit, nëse ka nevojë, atëherë e shohim me rishikim të buxhetit”.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami tha se “Duhet të shprehë një shqetësim për punëtorët e arsimit që janë në gjendje të rëndë shëndetësore”.

“304 persona që janë pjesë e arsimit dhe janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Me qenë se kjo është e pamundur që të adresohet me ligjin për buxhetin kërkoj nga ministritë përkatëse në mënyrë që atyre të iu mundësohet pensionimi më i hershëm dhe pagë prej 70 përqind”, shtoi ajo.

Hulumtim: Mësuesit me sëmundje të rënda vazhdojnë të mbajnë ditarin