Lëvizja Vetëvendosje inskenon procesin e votimit në kohë pandemie

Që nga rrëzimi i Qeverisë nga një mocion mosbesimi i iniciuar nga LDK-ja më 25 mars, Lëvizja Vetëvendosje po insiston në zgjedhje të reja pas tejkalimit të situatës së krijuar nga COVID-19.

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë inskenuar një proces zgjedhor se si votohet në situatë pandemie, pasi që sipas tyre votimi në një kohë pandemie nuk ndryshon edhe aq prej atij pa të.

Kjo parti përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, thotë se aktivistet e saj janë frymëzuar nga forma e organizimit të zgjedhjeve në Korenë e Jugut, të mbajtura më 15 prill 2020, siç janë:

1. Votuesit duhet të kenë maska dhe të qëndrojnë 1.5 metra larg njëri-tjetrit gjatë kohës së pritjes në radhë,

2. Votuesve do t’iu matet temperatura në hyrje të klasës:

2.1. Nëse temperaturën e ka deri në 37.5 gradë celsius, votuesi mund të votojë në atë klasë me procedura sikur nga e kaluara vetëm me disa masa shtesë të sigurisë,

2.2. Nëse temperaturën e ka më shumë se 37.5 gradë celsius, atëherë votuesi do të ndahet në një klasë tjetër ku i gjithë stafi i KQZ-së do të jetë i pajisur me veshje kundër pandemisë COVID-19. Pas votimit ai/ajo shoqërohet për t’i bërë analizat.

“Këtu e 28 vite më parë po mbaheshin zgjedhjet e para në Kosovën e okupuar. Ndonëse nën shtetrrethim nga Serbia e pa institucione, populli i Kosovës arriti t’i organizoj zgjedhjet e para në vend. Tani mundësitë janë edhe më të mëdha dhe se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje”, përfundon njoftimi i LVV-së.