Letra e dërguar në Këshillin e Europës, hap i duhur apo gabim strategjik i Qeverisë

Letra e ministres e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz në adresë të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti për “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, ka ngritur pikëpyetje nëse ky veprim është hap i duhur apo i gabuar për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Ky draft, siç ka thënë Gërvalla, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Por ky veprim i saj është përcjell me reagime të shumta brenda në Kosovë.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina ka deklaruar se për këtë veprim nuk ka pas “konsultim dhe dakordim” me shefen e shtetit. Sipas tij, presidentja Osmani përkrahë vetëm “qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara” me institucionin e Presidencës, e që në rastin konkret kjo letër nuk është e tillë.

Ndërsa, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Dritëro Arifi, dërgimin e letrës në KiE nga ana e ministres Gërvalla e ka quajtur “tallje të rëndë” me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, kjo tregon çakordim instrumental të politikës së Kosovës në përgjithësi.

“Mendoj që është tallje e rëndë për partnerët evropianë sepse gjithçka ka qenë e përgatitur që Kosova ta kalojë fazën e parë. Qeveria i ka ditur kushtet për të cilat i ka vendosur Komiteti i Ministrave. Prandaj, veprimi i sotëm mendoj që është çakordim instrumental i politikës së Kosovës në përgjithësi. Ministrja ka thënë se do ta zbatojë zotimin e kaluar, gjë që është e pakuptimtë sepse kryeministri, presidentja dhe kryeparlamentari e kanë dërguar një zotim. Thjesht, është e pakuptimtë letra e dytë”, ka thënë ai për Kallxo.com.

Edhe ish ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj e ka quajtur gabim dërgimin e letrës në Këshill të Evropës në momentet e fundit para votimit.

Ajo ka thënë se ky veprim tregon joseriozitet dhe thellon mosbesimin e shteteve aleate për bashkëveprim ndërkombëtar me Kosovën.

“Gabim kardinal – dërgimi i letrës në KiE në momentet e fundit para votimit – me njoftimin se Kosova po përgadit një draft të saj të Asociacionit për ta dërguar në Kushtetuese. Tregon joseriozitet në përcaktimin se Kosova nuk mund të defunksionalizohet me Asociacion. Thellon mosbesimin e shteteve aleate për bashkëveprim ndërkombëtar me Kosovën. I hapë rrugë kushtëzimit edhe më të rëndë të Kosovës nga Serbia”- ka shkruar ajo në Facebook.

Ndërsa, ish diplomatja tjetër, Vlora Çitaku, është shprehur se letra e ministres Gërvalla është skandaloze në përmbajtje, në formë dhe në mesazhin që përçon tek aleatët.

“Diplomacia nuk është lojë fëmijësh”- ka thënë ajo.

E, sipas profesorit Arifi, Kosova ka pasur kohë ta dërgojë çfarëdo drafti në Gjykatën Kushtetuese.

“Kohë kemi pasur …Por edhe atëherë është dashur të kemi dakordim me partnerët evropianë”- ka theksuar ai.

Ndërsa më 16.05.2024, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka arsyetuar dërgimin e letrës nga zëvendëskryeministrja Gërvalla-Schwarz duke thënë se “është ripërsëritje e premtimit që kryeministri Kurti ka dhënë me 18 mars 2023 në Ohër, e me 2 maj 2023 në Bruksel”, kur sipas tij, është ofruar edhe gatishmëria për të shkruar një draft-statut për Asociacionin bazuar në nenin 7 ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023).

“Aktualisht nuk ka një draft të shkruar”

Pas dërgimit të letrës, Gërvalla- Schwarz në konferencën për media ka deklaruar se zotimi i Qeverisë së Kosovës është i sinqertë dhe se pret që ai të pranohet.

Kryediplomatja kosovare ka theksuar se Qeveria ka ofruar shkrimin e një draft- statuti dhe se aktualisht nuk ka një draft të shkruar apo të dërguar në ndonjë institucion.

“Po flasim për një zotim për të përgatitur një draft-dokument. Nuk po flasim për një draft-dokument të gatshëm apo që është dërguar diku. Ky do të ishte një draft që do të hartohej nga Qeveria e Kosovës”-  ka thënë Gërvalla.

E pyetur nga gazetarët nëse është i vonuar propozimi i Kosovës për përgatitjen e një drafti vetëm një ditë para mbledhjes së ministrave në Këshillin e Evropës, Gërvalla u shpreh se “nëse do ta konsideronim të vonuar do ta dërgonim më herët dhe jo sot”.

“Po të konsideronim që është i vonuar do ta dërgonim më herët dhe jo sot. Ne kemi shprehur vullnet dhe shpresa jonë është e madhe që të na pranohet propozimi  Ne kemi diskutuar gjerë e gjatë se pse një draft-Asociacion nuk duhet dërguar në Kushtetuese. Po flasim për një zotim për të përgatitur një draft-dokument nuk po flasim për një draft-dokument të gatshëm apo që është dërguar diku. Ky do të ishte një draft që do të hartohej nga Qeveria e Kosovës”-  ka thënë Gërvalla.

Ajo ka theksuar se drafti që është ofruar të shkruhet nga Qeveria e Kosovës “në disa nga idetë që i ka paraqitur fondacioni, Friedrich Ebert”, pa thënë që është i tëri.

Nga ky fondacion kanë konfirmuar për KALLXO.com se nuk kanë pasur komunikim me Qeverinë për këtë çështje.

“Ne nuk jemi njoftuar dhe nuk kemi pasur ndonjë komunikim me Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë”- thuhet në përgjigjen e tyre.

FES-i në janar të 2023-tës kishte prezantuar një draft-statut për Asociacionin e Komunave në të cilat komuniteti serb i Kosovës është shumicë.

Draft-statuti i propozuar nga FES-i, parashihet që Asociacioni/Bashkësia të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale.

Kërkesat e ndërkombëtarëve për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese

Pas njoftimit të institucioneve të Kosovës se do të përgatisin një draft-statut që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka deklaruar se drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Europës që do të mbahet më 17.05.2024.

Në përgjigjen e kësaj ambasade thuhet se vendet e QUINT-it dhe të tjerët kanë theksuar vazhdimisht se Kosova pritet të ndërmarrë hapa të prekshëm për themelimin e Asociacionit në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Komitetin e Ministrave që aplikimi për anëtarësim të jetë i suksesshëm.

Si rrjedhojë, sipas Ambasadës gjermane, dorëzimi i draft-statutit para mbledhjes së Komitetit të Ministrave do të ishte një hap i tillë.

Viteve të fundit, Kosova është përballur me presion të jashtëm për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe (AKS). Për jetësimin e kësaj marrëveshje aktualisht ekzistojnë disa draft-statute të propozuara.

Më 2 maj, në rundin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Ekipi Menaxhues, paraqiti draft-statutin për themelimin e Asociacionit, që menjëherë u refuzua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se dokumenti nuk është në përputhje me kushtetutshmërinë e Kosovës.

Më 21.10.2023 përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë ua propozuan një draft dokument për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Asociacioni kusht për vendin e 47-të në Këshillin e Europës

Themelimi i Asociacionit do të ishte “një hap i rëndësishëm” për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, ka deklaruar raportuesja Dora Bakoyannis gjatë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës më 16.04.2024, dhe se sipas saj, “duhet të përfshihet në shqyrtimin e ardhshëm nga Komiteti i Ministrave të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës, si një angazhim pas anëtarësimit”.

Kështu shkruan edhe në nenin 11 të opinionit të saj.

Ndërsa, Qeveria më pas ka pranuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vendosur si kusht  për pranimin e shtetit në organizatën e Këshillit të Evropës.

Kryeministri, Albin Kurti ka bërë të ditur më 08.05.2024 se Qeveria nuk e pranon Asociacionin si kusht për t’u bërë pjesë e Këshillit të Europës. Kjo kërkesë, sipas tij nuk është parimore e as vlerore, por është absurde.

Vetë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në mars 2024 i dërguan një letër raportueses Bakoyannis, duke u zotuar se do të respektojnë të gjitha dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asoaciacionit.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës nuk është vendosur në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm të shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, që do të mbahet më 17.05.2024.

Në Asamblenë Parlamentare më 16.04.2024, Kosova ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme nga delegatët e shteteve anëtare të këtij mekanizmi ndërkombëtar.

Kosova ka aplikuar më 12.05.2022, për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.

Ndërkaq, çështja e Asociacionit që një kohë të gjatë po qëndron pa asnjë zgjidhje. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj Prishtina zyrtare nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje.