Kufiri Kosovë - Serbi në Merdare - Foto: REL
Qeveria merr përsipër pagesën e policave kufitare për mërgimtarët
Qeveria e Kosovës ka ndarë 3 milionë euro për mbulimin e policës kufitare për mërgimtarët.
Vendimi është miratuar në mbledhjen e mbajtur më 13.06.2024.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se procedura do të kryhet online para se mërgimtarët të arrijnë në Kosovë.
“Duke marrë parasysh që një polic e tillë kufitare krijon radhë të panevojshme dhe të tepërta, që pastaj pas një rrugëtimi të gjatë që e bëjnë mërgata- prapë pastaj kanë vonesa, ideja është që këtë ta bëjmë përmes qasjes online. Para se të arrijnë këtu [mërgimtarët] do të tërheqin online falas policen që mbulohet nga Qeveria dhe kësisoj të evitohet radhët e gjata në veri”- ka thënë ai.
Edhe vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mbuloj koston e policës kufitare për mërgimtarët ndërsa aplikimi për rimbursim të bëhet në mënyrë ‘online’.