Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK: Pasuria e paligjshme do të konfiskohet pasi të përfundojë procesi i vetingut

Në #DebatPernime, kandidati për deputet, Shkëmb Manaj dha zotimet e tij dhe të LDK-së për rregullimin e sistemit të drejtësisë.

Premtimet dhe zotimet e LDK-së do të mbikëqyren nga krypometri, i cili është produkt matës për deklaratat e vërteta dhe të rreme për zyrtarë, deputetë e ministra që drejtojnë Kosovën.

Shkëmb Manaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se pasuria do të konfiskohet pasi të përfundojë procesi i vetingut.

“Konfiskimi i pasurisë do të bëhet vetëm pasi të bëhet procesi i vetingut”, ka thënë Manaj.

E kandidati tjetër i LDK-së, Valdet Hoxha, ka thënë se pa një vendim gjyqësor nuk mund të bëhet konfiskimi i pasurisë.

“Në programin tonë e kemi Ligjin Antimafia i cili ka nevojë për amandamentim. Ne do t’u mundësojmë pavarësim të plotë hetuesve sepse po flasim për konfiskim të pasurisë së paligjshme”, ka thënë Hoxha.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Selim Selimi nga AAK, Shkëmb Manaj e Valdet Hoxha nga LDK dhe Adnan Rrustemi e Doarsa Kica nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Sundimin e ligjit’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.