LDK: Mungesa e pasaportave, paaftësi e qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka komentuar mungesën e materialit të pasaportave, duke e bërë përgjegjëse qeverinë, duke e quajtur të paaftë.

Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Visar Azemi, në konferencë për media tha se mungesa e pasaportave po jua vështirëson jetën qytetarëve.

“Liria e udhëtimit është e drejtë bazike dhe nuk është luks, në kohën kur kemi mobilizim për liberalizim sot, shteti jonë nuk ka pasaporta. Për këto pasaporta të reja qytetarët nuk mund të udhëtojnë për çështje familjare, as biznesore, as studentët nuk mund të udhëtojnë. Mungesa e pasaportave i ka dëmtuar edhe qytetarët tanë qe jetojnë jashtë, atyre po ju rrezikohet puna e qëndrimit në vendet ku po jetojnë” – tha ai.

“Kjo qeveri nuk arrin që 6 muaj të emëroj një drejtor të policisë, kemi të bëjmë me paaftësinë e qeverisë, deri më tani nuk kemi parë asgjë konkrete dhe kemi parë një mungesë të madhe të transparencës” – shtoi ai.

Ndërsa Xhafer Tahiri foli për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci Martin Berishaj për të cilin tha që mediat sllovene kanë raportuar se fushata e Kurtit është financuar nga kompania GEN.

“Gazetat sllovene kanë botuar një hulumtim ku hulumtohen lidhjet e Martin Berishaj me kompaninë GEN. Ky skandal po thellohet për 100 milionë euro të menaxhuara nga GEN ku dyshohet se është financuar fushata e Kurtit nga filiale e GEN në Tiranë.” – tha ai.

“Gazeta raporton se nga 100 milionë euro, 60 milionë janë adresuar në Bosnje e Hercegovinë, ndërsa pjesa tjetër në Begorad dhe Tiranë. Prandaj duhet përgjigje, a janë përdorur këto para për fushatë, këto janë pyetje legjitime që u shton LDK, a janë përdorur qoftë edhe një cent për të financuar fushatën e kryeministrit Kurti” – shtoi ai.

Për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta.

Mungesa e materialit, Sveçla kërkon nga Gjermania të lejojë hyrjen e qytetarëve me pasaportë të skaduar

Sveçla përmes një letre drejtuar autoriteteve gjermane e të cilën e ka siguruar KALLXO.com, ka kërkuar që të lejohen qytetarët e Kosovës të cilët kanë një leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani dhe të marrin shërbime me pasaportë të skaduar të Kosovës.

MPB sot ka njoftuar se në fund të këtij muaji pritet që Kosova të furnizohet me material për pasaporta, leje të vozitjes e për letërnjoftime.

MPB: Në fund të janarit pritet furnizimi me material për pasaporta, leje të vozitjes e letërnjoftime