LDK kërkon që seanca për qeverinë Hoti të mbahet të mërkurën

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar kërkesën për seancën për votimin e qeverisë së re të mërkurën në ora 11-të.

Kështu ka bërë të ditur Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të LDK-së, në një konferencë para mediave.

“Pas marrjes së aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në emër të LDK-së dhe deputetëve nënshkrues kam dorëzuar kërkesën për seancë në ditën e mërkurë në ora 11-të me një pikë të vetme të rendit të ditës, formimi i qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe presim që ditën e mërkurë të kemi qeverinë e re”, tha ai.

“Ne i kemi njoftuar partnerët, dhe përderisa kemi ftu seancë e kemi të garantuar edhe formimin e qeverisë re, presim që të kemi 63 ose 64 deputët nënshkrues”, tha Gashi.

Qeveria Kurti është rrëzuar në mars pas një mocioni të suksesshëm të iniciuar nga LDK.

LDK-ja ka mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër në një qeveri e cila ka lidhur koalicionit me  Listën Serbe, AAK, Nisma si dhe deputet nga pakicat.