Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës/ Facebook
LDK: Fjalimi i Kurtit në Kuvend ishte përçarës, ofendues, i pavend dhe i padinjitetshëm
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vlerësuar se fjalimi i sotëm i kryeministrit të vendit, Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, ishte përçarës, ofendues, i pavend dhe i padinjitetshëm.
“Ai sulmoi opozitën, mediet dhe fjalën e lirë. Një fjalim i tillë nuk mund të mbahet në festën e Ditës së Pavarësisë. Duket që Kurti vazhdon të mos e përjetojë 17 shkurtin si festë e moment uniteti kombëtar të Kosovës”, thuhet në reagimin e zyrës për media të kësaj partie.
Sipas LDK-së Kurti ‘edhe në këtë ditë të madhe, si para 14 vjetëve, zgjedh të ndajë e të përçajë popullin e Kosovës’.
“Republika e Kosovës është vendi i vizionarëve politikë, i luftëtarëve, i dëshmorëve dhe i martirëve të lirisë, vendi dhe shteti ynë i përhershëm. Kush nuk e kupton, fyen sakrificën e popullit të Kosovës, siç bëri Kurti sot”, thuhet tutje në reagim.
Partitë opozitare sot kanë lëshuar seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në shenjë revolte ndaj fjalimit të kryeministrit Albin Kurti.