Foto: KALLXO.com

Osmani: Pavarësia, e arritura më e madhe e Kosovës (VIDEO)

Para ceremonisë së parakalimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovë për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani tha se pavarësia është e arritura më e madhe e Kosovës.

“Pavarësia e Kosovës është e arritura jonë më e madhe ky është projekti ynë nacional. Institucionet me të gjithë mekanizmat janë garantues se nuk do të lejohet cenimi i integritetit territorial dhe kushtetues. Ne na lidhë shumëçka me Evropën, por asgjë nuk na ndal. Le të kujtojmë se krijimi i shtetit të Kosovës ka qenë ëndrra e dhjetëra brezave, të cilën brezi ynë pati fatin ta jetoj”, ka theksuar Osmani para dhjetërave qytetarëve në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Më tej, presidentja Osmani theksoi se drejtësia nuk është vendosur në vend akoma. Po ashtu, ajo falënderoi edhe aleatët dhe miqtë e Kosovës.

“Nuk ka sesi të mos përsërisim, faleminderit Amerikë, faleminderit NATO, faleminderit aleatë. Sot kemi arsye të festojmë sepse shteti jonë e ka profilin e ndërtuar, një shtet i vogël por me zemër të madhe, populli më pro-amerikan e pro-evropian e ka synimin e qartë përpara”, deklaroi më tej Osmani.

E para e vendit kujtoi edhe sakrificën e dëshmorëve që dhanë kontributin e tyre për ndërtimin e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës.

“14 vite të shtetësisë nuk janë shumë por nuk janë as pak për ta kujtuar rrugën e vështirë për ta bërë shtetin. Këta djem dhe vajza janë personifikimi i shtetit, identiteti i shtetit tonë të ri të cilin po e forcojmë çdo ditë e më shumë. Teksa forcat po marshojnë nuk ka si të mos kujtohet sakrifica e dëshmorëve, nuk ka sesi të mos kujtohet sesa e dhimbshme e sakrifica ishte rruga drejtë lirisë për secilin nga ju qytetarë të Kosovës”, tha presidnetja Osmani.

Pas fjalimit të presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti, pritet edhe parakalimi i ushtarëve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës.