Foto: KALLXO.com

Kurti: Nëse korrupsioni na kërcënon çdo ditë, ne do ta luftojmë në çdo orë (VIDEO)

Para ceremonisë së parakalimit të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovë për nder të 14-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, një pjesë të fjalimit ia kushtoi edhe luftimit të korrupsionit.

“Nëse korrupsioni na kërcënon çdo ditë, ne do ta luftojmë në çdo orë. Kosova është çështje e të gjithëve, për të përparuar ajo ka nevojë për të gjithë ne”, ka theksuar Kurti.

I pari i ekzekutivit, para qytetarëve dhe mysafirëve në sheshin “Zahir Pajaziti”, theksoi se rrugëtimi i Kosovës ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm.

“Por edhe me krenari dhe nder. Sot i kujtojmë heronjtë tanë që dhanë jetën, vuajtjen, flijimin e heronjve, atyre që na kujtojnë sesa e shtrenjtë është liria dhe sa mirë është të jesh i lirë”, tha kryeministri Kurti.

Kurti tha se Kosova qëndron si pantere e palëkundur përkrah shteteve mike e aleate.

“Garancia e paqes në peshën aktuale të konflikteve është ekzistenca efektive e aleancës atlantike. NATO është kushti i paqes për të gjithë ne”, përfundoi kryeministri.

Kryeministri Kurti e mbylli fjalimin e tij duke thënë se shkolla dhe ushtria janë dy garantues të mëdhenj të dijes publike dhe rendit shtetëror.