Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

LDK e PDK kritikojnë Qeverinë: Nga 7 komuna që fituan projekte, 4 qeverisen nga LVV

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me vendimin e Qeverisë që t’i ndajë mbi 1 milion euro për 7 nga 38 komunat e Kosovës për t`i ndihmuar në projekte në ndryshme.

Hoti ka thënë se të gjitha komunat ku qeveris LVV kanë fituar projekte nga Qeveria.

“Nga 7 komuna që kanë fituar projekte nga Ministria e Pushtetit Lokal, 4 janë nga VV. Në nivel nacional, VV qeveris në 4 komuna prej 38 sa janë. Por të gjitha kanë arritur të fitojnë projekte nga Qeveria. Çfarë fati”- ka thënë Hoti.

Vendimi i Qeverisë. Foto: Avdullah Hoti, Facebook.

Lidhur me ketë vendim ka reaguar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

“Me mosaprovim projektesh e mbështetje selektive ndëshkohen qytetarët, jo pushtetarët. Pa diskriminim deri më tani i kemi vetëm reduktimet e rrymës dhe inflacionin”-ka shkruar ajo.

Qeveria e Kosovës javën e kaluar mori vendim që t`i ndajë mbi 1 milion euro për 7 nga 38 komunat e Kosovës për t`i ndihmuar në projekte në ndryshme.

Katër nga këto 7 komuna që përfituan drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti e cila qeveris edhe në nivel qendror.

1 milion e 80 mijë 768 euro Qeveria i ndau nga projekti: “programi komunal për zhvillim të infrastrukturës socio-ekonomike dhe bashkëpunim ndërkomunal”.

Komuna e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i LVV-së,  është ndihmuar nga Qeveria për projektin “Parku Baja”, në vlerë prej 87,500 mijë euro.

Komuna e Podujevës, e cila udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i LVV-së, nga Qeveria është ndihmuar me 111,114.00 euro për projektin “Podujeva për Eficiencë dhe Zhvillim Efikas”.

Rregullimi i parkut në fshatin Davidoc të Shtimes, e cila drejtohet nga Qemajl Aliu i LVV-së, do të bëhet nga Qeveria e Kosovës. Ky projekt pritet të kushtojë 113 mijë 728 euro.

Qeveria po ashtu ka marrë vendim ta ndihmojë edhe Komunën e Kamenicës, e cila drejtohet nga Kadri Rahimaj nga Lëvizja Vetëvendosje.

Projekti i bashkëpunimit ndërkomunal “Lugu i verdhë”, i cili përfshin edhe Komunën e Novobërdës, do t`i kushtojë buxhetit të vendit 299 mijë 960 euro.

Kabineti qeveritar po ashtu ndihmoi edhe tri komuna që drejtohen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Nga ky projekt ka përfituar edhe komuna e Obiliqit, e cila drejtohet nga Xhafer Gashi i LDK-së.

Për projektin “Rehabilitimi i infrastrukturës fizike të komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, në Plemetin”, Qeveria i ka ndarë 100 mijë euro.

Edhe Komunës së Istogut dhe të Pejës, të cilat drejtohen nga Ilir Ferati e Gazmend Muhaxheri të LDK-së, Qeveria ia mbështeti nga një projekt.

Për projektin e bashkëpunimit ndërkomunal “Zhvillimi i infrastrukturës rrugore dhe bujqësore në komunën e Istogut dhe atë të Pejës”, në të cilin komuna e Istogut është lider, Qeveria ndau 238 mijë 467 euro.

Në 4 komuna të drejtuara nga LVV-së dhe 3 nga LDK shkojnë mbi 1 milion euro nga Qeveria