Sergei Lavrov - Foto: REL/Reuters

Lavrov: Rusia nuk do të përdorë armë nukleare në Ukrainë

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov i është përgjigjur pyetjeve lidhur me mundësinë e përdorimit bërthamor në një intervistë televizive ndërkohë që zyrtarët perëndimorë kanë paralajmëruar se Rusia mund t’a bëjë një gjë të tillë në Ukrainë.

Rusia do të përdorë vetëm armë konvencionale në Ukrainë, tha ministri i Jashtëm Sergei Lavrov në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore në luftë.

Komentet e bëra në një intervistë të martën për televizionin India Today, janë ndër më kategoriket nga një zyrtar i lartë rus mbi këtë çështje, megjithëse Lavrov nuk është drejtpërdrejt përgjegjës për vendimmarrjen ushtarake.

Zyrtarët e inteligjencës perëndimore kanë paralajmëruar se Kremlini mund t’i kthehet armëve taktike ose të tjera të kufizuara bërthamore nga arsenali i tij nëse pushtimi i tij ndaj fqinjit të tij jugor, Ukrainës, vazhdon edhe më gjatë.

Në këtë intervistë, Lavrov tha se operacioni ushtarak i Rusisë ka hyrë në një fazë të re dhe do të vazhdojë ende. Ukraina zyrtare ka deklaruar se Kremlini filloi një ofensivë të re në rajonin e Donbas brenda natës.

Sot, është dita e 55 e pushtimit rus në Ukrainë – lufta e parë tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi rus mbi Ukrainë filloi më 24 shkurt, kur presidenti rus Vladimir Putin nisi, sipas tij, një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur reagime të shumta ndërkombëtare dhe është përballur me zemërim në gjithë botën.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj këtij pushtimi.

SHBA dhe shtetet perëndimore kanë vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit t’i tërheqë forcat nga Ukraina dhe janë zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë./Bloomberg