Visar Korenica, interviste KALLXO.com 18/07/2022

Largimi nga puna i Shkëndije Himaj Zekaj nga BQK, Korenica: Shqetësuese mosdëgjimi i saj nga Komisioni Disiplinor

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e ka larguar nga puna, Shkëndije Himaj Zekaj, e cila kishte qenë kundërkandidate e Mehmetit për pozitën e Guvernatorit ndërsa së fundmi mbante pozitën ‘këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv për sektorin financiar në BQK’.

Ajo është larguar nga puna përkundër faktit që nuk është intervistuar/dëgjuar fare nga Komisioni Disiplinor. Përveç kësaj, Himaj-Zekaj është larguar nga puna, në ditën që i ka përfunduar pushimi mjekësor i marrë 1 muaj më parë.

Anëtari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere ku edhe raporton Banka Qendrore e Kosovës, Visar Korenica, e ka quajtur shqetësuese faktin që Komisioni Disiplinor nuk e ka dëgjuar Shkëndije Himaj Zekaj.

“I kemi marrë disa e-mail që na janë përcjellë për këtë rast. Kemi pa se çfarë është vepru dhe konsideroj që pjesa e Komisionit Disiplinor, pra që nuk është mbajtur asnjë takim/mbledhje për rastin, mendoj që këtu ka pas shkelje të rregullave të brendshme të BQK-së dhe në të njëjtën kohë i është pamundësuar vlerësimi real për punën që ajo e ka bërë brenda BQK-së”, tha ai për KALLXO.com

Korenica theksoi se është problematike edhe kumtimi i lajmit për largim nga puna, në ditën e fundit të pushimit të Himaj Zekaj duke shtuar se një gjë e tillë mund të interpretohet edhe si e qëllimshme.

“Shqetësim tjetër është se të njëjtit person i është kumtuar lajmi për ndërprerje të marrëdhënies së punës në ditën e fundi të pushimit. Duke i parë këto, pak a shumë mund të interpretohet edhe si e qëllimshme, por e njëjta ka marrë tashmë rrugë për procedura ligjore”, shtoi ai

Deputeti Korenica tha për KALLXO.com se inkurajon të gjithë punëtorët e te dy sektorëve, publik dhe privat që të shfrytëzojnë të drejtat e tyre ankimore duke insistuar që ndaj punëtorëve të ketë qasje dhe trajtim korrekt.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me anëtarët e tjerë të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nëse vërtetohet se Shkëndije Himaj Zekaj është larguar padrejtësisht nga puna, do të reagojnë.

“Jemi të informuar shkarazi për këtë temë dhe është në organet e tjera. Nëse vërtetohet se ka ndonjë hakmarrje apo diçka, ne do të reagojmë dhe do të kundërshtojmë çdo largim me qëllime të ulëta. Kjo sigurisht nuk është që përcaktohet nga ana jonë si deputetë sepse janë organet kompetente është Inspektorati i Punës apo Gjykata dhe jo ne”, tha ai.

Ndërsa Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk është në dijeni për një rast të tillë.

“Nuk jam në dijeni nuk kam ndonjë informatë të saktë, por është përmend. Por përderisa nuk kam ndonjë gjë zyrtare nga ajo, nuk kam si me e trajtu, kurdo që marr ndonjë shkresë prej saj unë me siguri se do ta ngris si çështje në Komisionin për Buxhet, në të cilin raporton BQK-ja”, tha ai.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një qëndrim në lidhje me largimin nga puna të Himaj Zekaj nga BQK edhe nga anëtarët e LDKsë, Avdullah Hoti dhe Besian Mustafa por të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.

Në muajin mars, për çështjen e Shkëndije Himaj Zekaj ishte krijuar një komision disiplinor, i cili që nga marsi e deri në korrik nuk e ka intervistuar atë.

BIRN ka dërguar kërkesë për monitorimin e këtij procesi por që një gjë e tillë ishte refuzuar. Monitorimi nga BIRN kishte për fokus respektimin e procedurave dhe rregullave disiplinore dhe të dhënat e procesit do të mbahen konfidenciale dhe të njëjtat do publikohen vetëm me lejen e palës e cila i nënshtrohet procedurës.

Madje, kërkesa për monitorim të procesit disiplinor është përmendur edhe në vendimin për largim nga puna të saj.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Fehmi Mehmeti, ka thënë se vendimi për shqiptimin e masës disiplinore ndaj znj. Shkëndije Himaj-Zekaj është nxjerr në përputhje me Ligjin e punës, Ligjin për BQK-në dhe Politikave për Marrëdhënie Pune në BQK.

Ai ka thënë se nuk mund të ofrojnë dokumentacionin rreth rastit të Himaj-Zekajt, pasi nuk kanë autorizim për të bërë një gjë të tillë. Por, ai ka thënë se të gjitha procedurat janë zhvilluar nga Komisioni Disiplinor në përputhje me ligjet në fuqi dhe rregulloret e BQK-së.

“Vendimet për masa disiplinore janë ndërmarr komfor Raporteve për Vlerësimin e Performancës; Marrëdhënia e punës nuk është ndërprerë gjatë periudhës së pushimit të aprovuar mjekësor”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit.

Ai ka thënë se vendimi për shqiptimin e masës disiplinore përmban edhe këshillën juridike, ku e punësuara, në rast se konsideron se i janë shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës, mund të parashtrojë ankesë, respektivisht kërkesë për rishqyrtim të vendimit.

“Janë organet tjera në BQK e mëtutje edhe organet e gjyqësorit, të cilat konstatojnë nëse ka pasur shkelje ose jo”, thuhet në përgjigjen e guvernatorit.

KËTU mund të lexoni hulumtimin e plotë nga BIRN për largimin nga puna të kundërkandidates së Fehmi Mehmetit për Guvernator të BQK-së.

Për largimin nga puna të Himaj Zekaj kanë reaguar edhe nga Sindikata e Punëtorëve të BQK-së si dhe Agjencia kundër Korrupsion.