Foto: BQK

Sindikata e BQK-së: Kemi vërejtur shkelje në procesin e largimit nga puna të Shkëndije Himaj Zekaj

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e ka larguar nga puna, Shkëndije Himaj Zekaj, e cila kishte qenë kundërkandidate e tij për pozitën e Guvernatorit ndërsa së fundmi mbante pozitën ‘këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv për sektorin financiar në BQK’.

Ajo është larguar nga puna përkundër faktit që nuk është intervistuar/dëgjuar fare nga Komisioni Disiplinor. Përveç kësaj, Himaj-Zekaj është larguar nga puna, në ditën që i ka përfunduar pushimi mjekësor i marrë një muaj më parë.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të BQK-së, Muhamed Koliqi, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se kanë vërejtur shkelje gjatë procesit ndaj Shkëndije Himaj Zekaj.

Ai ka theksuar se vazhdimisht kanë reaguar ndaj guvernatorit Fehmi Mehmeti por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje. Reagime, Koliqi thotë së kanë drejtuar edhe tek Bordi i BQK-së por që as nga ata nuk kanë marrë përgjigje.

“Për rastin e znj. Himaj, Kryesia e SPBQK-së ka vërejtur shkelje dhe si rrjedhojë në vazhdimësi ka reaguar lidhur me veprimet e Guvernatorit ndaj znj. Shkendije Himaj. Reagimet fillimisht janë drejtuar te Guvernatori dhe duke mos marrë përgjigje nga Guvernatori, reagimi është drejtuar edhe tek Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), mirëpo as nga këta të fundit asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje”, tha Koliqi.

Kryetari i Sindikatës, Muhamed Koliqi, tha se kanë kërkuar edhe monitorimin e punës së Komisionit Disiplinor por që as për këtë çështje nuk kanë marrë ndonjë reagim.

“Me 6 korrik 2022, Kryesia e SPBQK-së është informuar gjithashtu edhe për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së znj. Himaj nga ana e Guvernatorit. Kryesia e SPBQK-së është duke e shqyrtuar edhe këtë rast për të cilin sigurisht që do të reagojë së shpejti.Për më tepër, Kryesia e SPBQK-së ka kërkuar monitorim të punës së Komisioni Disiplinor të themeluar nga Guvernatorit për vërtetimin e pretendimeve, shumë prej të cilave janë pjesë e arsyetimit të vendimit të Guvernatorit për shkëputjen e kontratës së Znj. Himaj. Deri më tani Kryesia e SPBQK-së edhe për këtë kërkesën nuk ka pranuar përgjigje. Mirëpo lidhur me këtë kërkesë të Kryesisë së SPBQK-së, është njoftuar znj. Himaj, e cila pastaj ka njoftuar Kryesinë e SPBQK-së që kjo kërkesë e SPBQK-së është refuzuar nga ky komision”, tha Koliqi për KALLXO.com.

BIRN të premten ka publikuar hulumtimin i cili tregon për largimin nga puna të Shkëndije Himaj Zekaj nga Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Fehmi Mehmeti, ka thënë se vendimi për shqiptimin e masës disiplinore ndaj znj. Shkëndije Himaj-Zekaj është nxjerr në përputhje me Ligjin e punës, Ligjin për BQK-në dhe Politikave për Marrëdhënie Pune në BQK.

Ai ka thënë se nuk mund të ofrojnë dokumentacionin rreth rastit të Himaj-Zekajt, pasi nuk kanë autorizim për të bërë një gjë të tillë. Por, ai ka thënë se të gjitha procedurat janë zhvilluar nga Komisioni Disiplinor në përputhje me ligjet në fuqi dhe rregulloret e BQK-së.

“Vendimet për masa disiplinore janë ndërmarr komfor Raporteve për Vlerësimin e Performancës; Marrëdhënia e punës nuk është ndërprerë gjatë periudhës së pushimit të aprovuar mjekësor”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit.

Ai ka thënë se vendimi për shqiptimin e masës disiplinore përmban edhe këshillën juridike, ku e punësuara, në rast se konsideron se i janë shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës, mund të parashtrojë ankesë, respektivisht kërkesë për rishqyrtim të vendimit.

“Janë organet tjera në BQK e mëtutje edhe organet e gjyqësorit, të cilat konstatojnë nëse ka pasur shkelje ose jo”, thuhet në përgjigjen e guvernatorit.

Për më tepër, BQK-ja nuk e kishte pranuar mbrojtësin e Shkëndije Himaj Zekaj me arsyetimin se i njëjti nuk ka paraqitur dëshmi që është i regjistruar si përfaqësues ligjor në Kosovë.

Ndërsa Ligji i Procedurës Kontestimore, i cili e rregullon procedurën gjyqësore ka përcaktuar se palët përpos përfaqësimit nga avokati kanë të drejtë të përfaqësohen edhe nga personat që ata i autorizojnë.Në vendimin për largim nga puna janë listuar disa vendime disiplinore që janë marrë kundër Himaj-Zekaj nga ana e menaxhmentit të BQK-së.

Shkëndije Himaj Zekaj thotë se largimi i saj nga puna burimin e ka tek kandidimi i saj për Guvernatore në vitin 2018.

“Siç edhe jeni ne dijeni përndjekja sistematike nga Guvernatori që më është bërë në vazhdimësi është rezultati kandidimit tim për Guvernator në vitin 2018 sepse unë kam guxuar të sfidoj kandidaturën e tij. E gjithë kjo periudhe e shoqëruar pastaj me kërkesa të vazhdueshme për shkelje ligjore, të cilat unë i kam kundërshtuar dhe për të cilat tani po ndëshkohem”, thuhet në e-mailin e Himaj Zekës drejtuar bordit të BQK-së, kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Në vendimin e guvernatorit Fehmi Mehmeti thuhet se Himaj-Zekaj ka qenë në pushim mjekësor deri më 5 korrik 2022, pra gjithsej 14 ditë pushim mjekësor. Por, në dokumentin për mbylljen e pushimit mjekësor që e ka dërguar Himaj-Zekaj thuhet se data e mbylljes së pushimit është më 6 korrik, pra kishte gjithsej 15 ditë pushim mjekësor.