Antikorrupsioni: Policia e Kosovës është duke trajtuar pretendimet e ngritura rreth shkeljeve në BQK

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e ka larguar nga puna, Shkëndije Himaj Zekaj, e cila kishte qenë kundërkandidate e Mehmetit për pozitën e Guvernatorit ndërsa së fundmi mbante pozitën ‘këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv për sektorin financiar në BQK’. Ajo është larguar nga puna përkundër faktit që nuk është intervistuar/dëgjuar fare nga Komisioni Disiplinor.

Përveç kësaj, Himaj-Zekaj është larguar nga puna, në ditën që i ka përfunduar pushimi mjekësor i marrë një muaj më parë. BIRN kishte kërkuar të monitorohet procesi disiplinor ndaj Himaj-Zekaj, mirëpo guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, e kishte refuzuar kërkesën për monitorim. Me këtë rast është duke u marrë Inspektorati I Punës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Fehmi Mehmeti, ka thënë se vendimi për shqiptimin e masës disiplinore ndaj znj. Shkëndije Himaj-Zekaj është nxjerr në përputhje me Ligjin e punës, Ligjin për BQK-në dhe Politikave për Marrëdhënie Pune në BQK.

Ai ka thënë se nuk mund të ofrojnë dokumentacionin rreth rastit të Himaj-Zekajt, pasi nuk kanë autorizim për të bërë një gjë të tillë. Por, ai ka thënë se të gjitha procedurat janë zhvilluar nga Komisioni Disiplinor në përputhje me ligjet në fuqi dhe rregulloret e BQK-së.

Përvec këtij rasti, një shkresë që ka rrjedh nga Banka Qendrore e Kosovës, në të cilën janë ngritur pretendime për punësime jo-meritore, favorizime nëpër tender e shkelje tjera të pretenduara është shpërndarë tek mediat javë me parë.

Kallxo.com ka kërkuar sqarime nga Agjencia kundër Korrupsionit nëse kanë filluar hetime rreth pretendimeve publike rreth punës në BQK.

Në një përgjigje për KALLXO.com, AKK ka thënë se ka ndërprerë hetimet sepse ka pranuar njoftim që i njëjti rast është duke u trajtuar nga Drejtoria për Hetim të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion brenda  Policisë së Kosovës.

“Agjencia kundër Korrupsionit gjatë zhvillimit të hetimeve paraprake ka pranuar njoftimin që  i njëjti rast është duke u trajtuar edhe nga Drejtoria për Hetim të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Policinë e Kosovës, rrjedhimisht ka ndërprerë hetimet bazuar në Ligjin nr. 03/L- 159 për Agjencinë Kundër Korrupsionit përkatësisht në nenin 5 paragrafi sipas të cilit AKK 1.1. inicion dhe zhvillon procedurën e zbulimit dhe hetimit paraprak të korrupsionit dhe përcjellë kallëzime penale për rastet e dyshimit për korrupsion në prokurorinë publike kompetente, nëse për të njëjtin rast nuk zhvillohet procedurë penale”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë kundër Korrupsion për KALLXO.com.

Disa prej pretendimeve që kanë qenë në këtë shkresë që i është dërguar mediave nga një email anonim janë ngritur edhe nga deputetet e Kuvendit të Kosovës në Komisionet Parlamentare në të cilat kishte raportuar udhëheqja e BQK-së. Disa prej temave që kanë qenë pjesë e kësaj letre, janë hulumtuar paraprakisht nga KALLXO.com, ndërsa disa të tjera janë ngritur në debatet për BQK-në dhe intervistën e realizuar me zv.Guvernatorin e BQK-së, Sokol Havollin.

BQK-ja largon nga puna kundërkandidaten e Fehmi Mehmetit për Guvernator

Shënim: Artikulli është përditësuar me informacionet shtesë të Agjencisë Kundër Korrupsionit