Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

BQK-ja largon nga puna kundërkandidaten e Fehmi Mehmetit për Guvernator

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, e ka larguar nga puna, Shkëndije Himaj Zekaj, e cila kishte qenë kundërkandidate e Mehmetit për pozitën e Guvernatorit ndërsa së fundmi mbante pozitën ‘këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv për sektorin financiar në BQK’.

Ajo është larguar nga puna përkundër faktit që nuk është intervistuar/dëgjuar fare nga Komisioni Disiplinor. Përveç kësaj, Himaj-Zekaj është larguar nga puna, në ditën që i ka përfunduar pushimi mjekësor i marrë 1 muaj më parë.

BIRN kishte kërkuar të monitorohet procesi disiplinor ndaj Himaj-Zekaj, mirëpo Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, e kishte refuzuar kërkesën për monitorim.

Për më tepër, BQK-ja nuk e kishte pranuar mbrojtësin e Shkëndije Himaj Zekaj me arsyetimin se i njëjti nuk ka paraqitur dëshmi që është i regjistruar si përfaqësues ligjor në Kosovë. Ndërsa Ligji i Procedurës Kontestimore, i cili e rregullon procedurën gjyqësore ka përcaktuar se palët përpos përfaqësimit nga avokati kanë të drejtë të përfaqësohen edhe nga personat që ata i autorizojnë.

Në vendimin për largim nga puna janë listuar disa vendime disiplinore që janë marrë kundër Himaj-Zekaj nga ana e menaxhmentit të BQK-së.

Shkëndije Himaj Zekaj thotë se largimi i saj nga puna burimin e ka tek kandidimi i saj për Guvernatore në vitin 2018.

“Siç edhe jeni ne dijeni përndjekja sistematike nga Guvernatori që më është bërë në vazhdimësi është rezultati kandidimit tim për Guvernator në vitin 2018 sepse unë kam guxuar të sfidoj kandidaturën e tij. E gjithë kjo periudhe e shoqëruar pastaj me kërkesa të vazhdueshme për shkelje ligjore, të cilat unë i kam kundërshtuar dhe për të cilat tani po ndëshkohem”, thuhet në e-mailin e Himaj Zekës drejtuar bordit të BQK-së, kryeministrit Albin Kurti, presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ajo thotë se ndërprerja e kontratës është shkelje flagrante dhe hakmarrje ndaj saj. Himaj-Zekaj thotë se e gjithë kjo ‘përndjekje sistematike’ është për shkak të një ‘mendimi tjetër’ që ka pasur nga Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti

“Vendimi për ndërprerje të marrëdhënies  së punës është marrë sot, në ditën e fundit të pushimit mjekësor. Kjo është shkelje flagrante e Politikës së Marrëdhënies në Punë në BQK dhe Ligjit të Punës”, thuhet në njoftimin e saj, një kopje të cilës është dërguar edhe në KALLXO.com.

Mohimi i mbrojtjes 

Në vendimin e guvernatorit Fehmi Mehmeti thuhet se Himaj-Zekaj ka qenë në pushim mjekësor deri më 5 korrik 2022, pra gjithsej 14 ditë pushim mjekësor. Por, në dokumentin për mbylljen e pushimit mjekësor që e ka dërguar Himaj-Zekaj thuhet se data e mbylljes së pushimit është më 6 korrik, pra kishte gjithsej 15 ditë pushim mjekësor.

Himaj-Zekaj ka kërkuar nga bordi i BQK-së që të ndërmarrin veprime, siç e ka quajtur ajo ndaj këtij vendimi skandaloz ndaj saj.

“Vendimi i sotëm është keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe cenim i së drejtës nga marrëdhënia e punës,  që të dy këto vepra penale, të cilat unë do i dërgoj në prokurori dhe do njoftoj të gjitha organet tjera relevante. Ju jeni organi më i lartë mbikëqyrës në Bankën Qendrore, prandaj ju lus që të gjykoni drejt në kuadër të autorizimeve tuaja për të ndërmarr veprime në raport me këtë vendim skandaloz, me përmbajtje krejtësisht të pavërtetë”, vazhdon e-maili i Shkëndije Himaj Zekës.

Komisioni Disiplinor nuk e ka dëgjuar asnjëherë Himaj-Zekajn për të mbrojtur vetëm për shkeljet e pretenduara i ngarkohen asaj. Fakti që asaj nuk i është dhënë mundësia që të mbrojë veten është ngritur edhe nga kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurbonja.

Ndërkohë, në vendimin e BQK-së thuhet se përfaqësuesi ligjor Aleksander Borg-Olivier është paraqitur si palë mbrojtëse e Shkëndije Himaj-Zekaj.

Por, tutje në vendim, thuhet se Guvernatori i BQK-së ka kërkuar nga avokati Borg- Olivier që të dorëzojë në BQK dëshmi se i njëjti është i pajisur me licencë profesionale për vazhduar përfaqësimin ligjore të Himaj-Zekaj.

“Më datë 30.05.2022, Guvernatori i është drejtuar (përmes e-mail-it) z. Alexander Borg Olivier përfaqësues ligjor i znj. Himaj Zekaj, nga i cili ka kërkuar që në afatin sa më të shpejtë të mundshëm të ofrojë një dokument/dëshmi se është i pajisur në licencën profesionale në bazë të kërkesave ligjore (licencë të lëshuar nga institucionet kompetente të Kosovës), për të vazhduar me tutje komunikimet dhe përfaqesimet nga ana juaj në këtë procedurë”, thuhet në vendimin e guvernatorit.

Tutje, Aleksander Borg-Olivier ka vazhduar më dërgu shkresa në emër të Shkëndije Himaj Zekaj, duke përfshirë kërkesën për pushim shtesë mjekësor.

Ndërsa, në vendim është cituar një email i Sokol Havollit, U.D Guvernator në BQK pasi Mehmeti ishte në pushim mjekësor, në të cilën thuhet se kërkesat e dërguara nga përfaqësuesi ligjor konsiderohen të refuzuara.

“Me datë 26 qershor 2022, z. Sokol Havolli në cilësi të U.D. të Guvernatorit (pasi që Guvematori gjendet në pushim vjetor), i përgjigjet (përmes e-mail-i) z. Alexander Borg Olivier përfaqesues ligjor i znj. Himaj Zekaj, përkatësisht e refuzon kërkesën e tij të datës 24 qershor 2022, si në vijim: ‘Sikur edhe ju ka njoftuar z. Mehmeti në shkresat e kaluara, për shkak se ju nuk jeni i regjistruar në Kosovë si përfaqësues ligjor, kërkesa si e tillë konsiderohet automatikisht e refuzuar. Gjithashtu, në bazë të informacionit që unë posedoj, znj. Himaj është dashur që me datën 22 qershor 2022 të paraqitej në punë’”, thuhet në vendimin e BQK-së.

Ligji i Procedurës Kontestimore i cili e rregullon procedurën gjyqësore ka përcaktuar se palët përpos përfaqësimit nga avokati kanë të drejtë të përfaqësohen edhe nga personat që ata i autorizojnë.

Neni 85 i këtij ligji ka përcaktuar se palët mund të përfaqësohen në gjykatë edhe nga persona të tjerë që nuk janë avokatë të licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës.

Ky përfaqësim bëhet kur palët e autorizojnë personin fizik që t’i përfaqësojë para gjykatës. Kushti i vetëm që duhet të plotësohet është që personi të jetë i aftë për të vepruar.

“Palët mund të kryejnë veprime në procedurë personalisht ose me anë të përfaqësuesit me prokurë (autorizim), por gjykata mund ta ftojë palën që ka përfaqësues që në gjykatë personalisht të deklarohet për faktet që duhet vërtetuar në procedurën konkrete”, thuhet në këtë nen.

Mirëpo edhe pse personat që nuk janë avokat kanë të drejtë të përfaqësojnë në çështje civile, roli i tyre në procedurë është më i kufizuar.

Kjo pasi neni 91 i Ligjit të Procedurës Kontestimore ka përcaktuar se përfaqësuesit jo avokat i nevojitet çdo herë autorizim shprehimor për tërheqje të padisë, pranim të padisë, lidhje të pajtimit gjyqësor dhe tërheqjen e ankesës.

“Në qoftë se pala në prokurë nuk ia ka caktuar me hollësisht autorizimet përfaqësuesit, përfaqësuesi që nuk është avokat mundet në bazë të prokurës së tillë, t’i kryejë të gjitha veprimet procedurale, por gjithmonë i nevojitet autorizim shprehimor për tërheqjen e padisë, për pohimin e kërkesëpadisë apo për heqjen dorë nga ajo, për lidhjen e pajtimit gjyqësor, për heqjen dorë nga e drejta e paraqitjes së mjetit të goditjes së vendimit, apo për tërheqjen e tij dhe për kalimin e prokurës një personi tjetër, si dhe për paraqitjen e mjeteve të jashtëzakonshme të goditjes se vendimeve”, thuhet në këtë nen.

Procesi disiplinor

Ndërprerjes së kontratës për Shkëndije Himaj Zeka i kishte paraprirë një proces disiplinor brenda BQK-së në muajin mars, të cilin Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese kishte kërkuar që t’a monitorojë.

Një kërkesë e tillë ishte refuzuar nga Banka Qendrore e Kosovës.

“Komisioni disiplinor është i pavarur në kryerjen e vlerësimeve të tij dhe askush nuk duhet të interferojë gjatë procesit të kryerjes së vlerësimit të tij. I punësuari gjatë gjithë këtij procesi mund të angazhojë një mbrojtës, i cili ka të drejtë ta shoqërojë gjatë gjithë procedurës disiplinore. Andaj, duke respektuar në përpikëri aktet e brendshme juridike të BQK-së, ju informojmë se ne nuk interferojmë në punën e komisionit disiplinor”, ka thënë Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti për KALLXO.com

Në vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për Shkëndije Himaj Zekës, njëra ndër arsyet e shkëputjes së kontratës ishte shprehja e pakënaqësisë tek bordi i BQK-së nga Himaj Zekës në lidhje me vlerësimin e rezultateve në punë për vitin 2021. Sipas BQK-së, një shqetësim i tillë duhet të bëhet vetëm në mes punëtorit dhe punëdhënësit.

“Në këtë shkresë zyrtare, përveç shprehjes se pakënaqësisë lidhur me vlerësimin e rezultateve në punë për vitin 2021, znj. Himaj Zekaj ka shkuar edhe me tej duke akuzuar mbikëqyresin e saj për trajtim diskriminues jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj punonjësve të tjerë të BQK-së, duke përmendur në shkresën e saj “kjo dëshmohet me faktin e disa padive të dorezuara nga personeli i BQK-se pranë gjykatave kompetente, që janë duke e ekspozuar BQK-në jo vetëm ndaj rrezikut reputacional, por edhe ndaj rrezikut financiar”, thuhet në vendimin e BQK-së.

BQK kishte vlerësuar dobët performancën në punë të Shkëndije Himaj Zekaj për vitin 2021 dhe për pesë mujorin e vitit 2022. Sipas BQK-së, Himaj Zekaj nuk kishte kryer ndonjë punë gjatë kësaj periudhe. Por Himaj Zekaj e mohon një gjë të tillë, ajo insiston që e gjithë kjo është hakmarrje ndaj saj për shkak të kritikave ndaj guvernatorit, Fehmi Mehmeti.

Në muajin mars, për çështjen e Shkëndije Himaj Zekaj ishte krijuar një komision disiplinor, i cili që nga marsi e deri në korrik nuk e ka intervistuar atë.

BIRN ka dërguar kërkesë për monitorimin e këtij procesi por që një gjë e tillë ishte refuzuar. Monitorimi nga BIRN kishte për fokus respektimin e procedurave dhe rregullave disiplinore dhe të dhënat e procesit do të mbahen konfidenciale dhe të njëjtat do publikohen vetëm me lejen e palës e cila i nënshtrohet procedurës.

Madje, kërkesa për monitorim të procesit disiplinor është përmendur edhe në vendimin për largim nga puna të saj.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Fehmi Mehmeti, ka thënë se vendimi për shqiptimin e masës disiplinore ndaj znj. Shkëndije Himaj-Zekaj është nxjerr në përputhje me Ligjin e punës, Ligjin për BQK-në dhe Politikave për Marrëdhënie Pune në BQK.

Ai ka thënë se nuk mund të ofrojnë dokumentacionin rreth rastit të Himaj-Zekajt, pasi nuk kanë autorizim për të bërë një gjë të tillë. Por, ai ka thënë se të gjitha procedurat janë zhvilluar nga Komisioni Disiplinor në përputhje me ligjet në fuqi dhe rregulloret e BQK-së.

“Vendimet për masa disiplinore janë ndërmarr komfor Raporteve për Vlerësimin e Performancës; Marrëdhënia e punës nuk është ndërprerë gjatë periudhës së pushimit të aprovuar mjekësor”, thuhet në përgjigjet e Mehmetit.

Ai ka thënë se vendimi për shqiptimin e masës disiplinore përmban edhe këshillën juridike, ku e punësuara, në rast se konsideron se i janë shkelur të drejtat nga marrëdhënia e punës, mund të parashtrojë ankesë, respektivisht kërkesë për rishqyrtim të vendimit.

“Janë organet tjera në BQK e mëtutje edhe organet e gjyqësorit, të cilat konstatojnë nëse ka pasur shkelje ose jo”, thuhet në përgjigjen e guvernatorit.

Pyetje ka dërguar edhe tek anëtarët e bordit të BQK-së dhe në pyetje është përgjigjur kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja. Ai ka thënë se në bazë të informacioneve që ka nuk ka bazë ligjore për largimin e Himaj-Zekaj nga puna.

Nurbonja ka thënë se do të insistojë që në mbledhjen e bordit të shqyrtohet vendimi i guvernatorit për ndërprerje të marrëdhënies së punës.

“Sa i përket shkarkimit te Shkëndije Himaj mua me vjen keq që ka ndodh, pa i dhënë mundësi asaj ta mbrojë veten. Për mua kjo është cenim i drejtave të njeriut, pavarësisht se a ka bazë për shkarkim, ku në rastin e Shkëndijes sa jam unë i informuar nuk ka bazë. Tash bordi i ka pesë anëtarë dhe dua të besoj që bordi do ta ketë rolin me kontrollues, sidomos pas informatave të sinjalizuesit. Unë do të insistojë që në mbledhjen e radhës të diskutohet prapë në bord dhe të shqyrtohet vendimi i Guvernatorit për Shkendijen”, tha ai.

Ndërkohë, Inspektorati i Punës i ka konfirmuar KALLXO.com që tashmë kanë filluar të shqyrtojnë rastin e largimit nga puna të Shkëndije Himaj Zekaj.

KALLXO.com ka publikuar disa hulumtime që zbardhin shkeljet e bëra nga Banka Qendrore e Kosovës. Një prej hulumtimeve të publikuara është edhe blerja e veturës në vlerës 69 mijë euro për Guvernatorin, në një proces të prokurimit që kishte disa shkelje të rregullores së prokurimit të BQK-së.

Përveç kësaj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ngritur një varg të shkeljeve që ata pretendojnë që janë bërë në BQK që lidhen me punësime, licencim dhe tërheqje të licencave për institucionet financiare që i rregullon ky institucion dhe për favorizime në sektorin e sigurimeve.