Bartja e automjeteve nga Banjska, Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Largimi i barrikadave e bartja e mjeteve të rënda, Policia kontrakton kompani për shfrytëzim të bagerëve e buldozerëve në bazë të nevojave

Nevoja për pajisje të rënda të cilat mund të ndihmojnë në largimin e barrikadave, transportimin e mjeteve të rënda e të ndryshme, ngarkimin dhe shkarkimin e peshave të rënda duke përfshirë këtu edhe automjete, hapjen e kanaleve, janë parë si të domosdoshme gjatë javëve të fundit, sidomos pas sulmit terrorist të datës 24 shtator në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit.

Kjo ka bërë që Policia e Kosovës, ani pse jo për të parën herë, të kontraktoj një kompani të caktuar në mënyrë që t’ia shfrytëzoj makineritë e rënda për t’i përdorur në raste nevoje në gjithë territorin e Kosovës.

Sulmit të 24 shtatorit në Banjskë ku edhe u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, sipas të dhënave që posedon KALLXO.com mendohet se i parapriu fillimisht një telefonatë që kishin marrë ekipet e reagimit nga ekipi i rreshterit Bunjaku për mundësi se në Banjskë po zhvillohet kontrabandë ilegale.

Kjo pasi që në hyrje të fshatit mbi një urë ishin vendosur dy kamionë si barrikada për të penguar hyrjen brenda fshatit ku janë dhjetëra shtëpi të banueshme.

Vetëm pak metra larg nga ky stacionim i kamionëve si barrikada ishte bërë edhe shpërthimi me granatë me teledirigjim e që goditi veturën e rreshterit Bunjaku me ç’rast ai vdiq ndërsa dy kolegët e tij njëri u plagos e tjetri u lëndua.

Veprimet tutje që ndodhën përgjatë ditëve në vijim nga 24 shtatori, si bartja e veturave të sekuestruara në Banjskë të grupit terrorist, autoblindat që u përdorën nga ta e qindra pajisje, armë, municione, veshje ushtarake, u bartën me vetura të policisë por edhe me mjete të tjera transportuese të rënda.

Kjo për shkak edhe të peshës së mbi 24 veturave, 2 blindave të rënda të cilat u lanë nga grupi terrorist përreth Manastirit të Banjskës.

Në operacione të ndryshme policore, edhe gjatë kohës së barrikadave të formuara në lokacione të ndryshme nga serbët në katër komunat me shumicë serbe në veri të Mitrovicës, janë parë kohë pas kohe mjete të rënda të cilat ishin në kuadër të Policisë së Kosovës.

Kontrata të cilën Policia e Kosovës e ka publikuar edhe në faqen zyrtare të E-Prokurimit, ka vlerën prej 124 mijë e 240 eurove, ndërsa kohëzgjatja e saj është 1 vit.

Lloji i kësaj kontrate ka qenë e negociuar dhe për të njëjtin tender kanë aplikuar dy kompani me dy oferta të ndryshme.

Kompania “ALL Stone shpk” është rekomanduar nga Policia e Kosovës për kontratën e ofrimit të shërbimeve me makineri të rënda. Sipas dosjes në E-Prokurim, kjo kompani ofroi çmimin më të ulët për vlerën e kontratës.

Njoftimi për nënshkrim të kontratës për kompaninë “ALL Stone” është bërë më 16 tetor – pra tri ditë më parë.

Në bazë të dosjes së Policisë së Kosovës për kërkesat e tyre përmenden në detaje se çfarë lloje të makinerive të rënda do t’u duhen atyre në raste të caktuara e që mund t’i përdorin në gjithë territorin e Kosovës.

Në bazë të kërkesave dhe specifikave, Policia e Kosovës ka thënë se kanë nevojë nga kompania që të marrin me qira në bazë të nevojave, bagerë me lugë për largimin e barrikadave minimum 18 tonë, ekskavatorë për hapjen e kanaleve minimun 20 tonë, kamionë transportues të peshave të rënda, vinç për pesha të rënda, kamion me kran për ngarkim të kontejnerëve.

Ndonëse, kërkesat e Policisë së Kosovës nuk janë vetëm për një terren të caktuar por për shfrytëzim të këtyre makinerive në gjithë territorin e Kosovës, me probleme të barrikadave ky institucion ka problem tash e disa vite.

Kjo pasi që vetëm në tri vitet e fundit në disa raste ka pasur edhe barrkadim të rrugëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit për shkak të protestave të qytetarëve në ato zona në lidhje me disa nga vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Historia e barrikadave në veri të Kosovës