Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Historia e barrikadave në veri të Kosovës

Viti 2011 ishte fillimi i një historie barrikadash, e cila do të përsëritej disa herë nga qytetarët serbë për të kundërshtuar aksione policore e vendime të Qeverisë së Kosovës.

Barrikadat e vendosura në korrik të vitit 2011 ishin ato që kishin qëndruar me vite e të tjerat që pasuan nuk ishin të njëjta.

Ura e Mitrovicës, Simbol i Ndarjeve në Kosovë

Për katër vite barrikadat e vendosura te Ura e Ibrit dhe në 15 lokacione të tjera po qëndronin aty ndërsa ishin vendosur nga strukturat paralele serbe dhe personat e ashtuquajtur ‘Rojat e Urës’.

Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, ura mbi lumin Ibër, i cili kalon për mes Mitrovicës, ishte shndërruar në një simbol ndarjeje midis shqiptarëve në anën jugore dhe serbëve në pjesën veriore.

Vendosja e barrikadave në urën mbi lumin Ibër ishte bërë si rezistencë e qytetarëve serbë pas aksionit të Policisë së Kosovës në atë kohë, për të vënë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31, Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo shkaktoi zemërim në komunitetin serb dhe për të kundërshtuar këtë aksion të Policisë vendosën të bllokonin rreth 16 lokacione të ndryshme duke bllokuar në total qarkullimet e mundshme edhe të personave por edhe makinave.

Në vitin 2014, një ditë pas heqjes së barrikadave në urën mbi lumin Ibër, qytetarë serbë kishin tentuar bllokimin e saj sërish, duke vendosur saksi prej betoni mes urës në mënyrë që të mos ketë qarkullim të qytetarëve në atë pjesë.

Kthehet Barrikada Mbi Lumin Ibër

Pengesa e re e serbëve shkaktoi protesta të reja midis shqiptarëve të Kosovës, disa prej të cilave u bënë të dhunshme, me disa persona të plagosur dhe automjete të shumta të djegura.

I ashtuquajturi Parku i Paqes u hoq në gusht të vitit 2016, kur filloi rinovimi i urës, pasi u arrit marrëveshje si pjesë e bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, të cilat synonin normalizimin e marrëdhënieve.

Rinovimi ishte financuar nga BE-ja me një kosto prej më shumë se 1.2 milion euro dhe kishte për qëllim të lehtësojë kontaktet midis banorëve në veri dhe jug të qytetit.

Në kohën kur ishin vendosur barrikadat në urën e Ibrit kryeministër ishte Hashim Thaçi.

Pjesë e historisë do të hyjë edhe vazhdimi i bllokimit të rrugëve me automjete të rënda, ekskavatorë e zhavorr në vitin 2019. Për herë të dytë në veri do të shënoheshin barrikada të reja për të kundërshtuar shtrirjen e rendit dhe sigurisë edhe në atë zonë.

Në maj të vitit 2019, institucionet e rendit dhe sigurisë ishin duke zhvilluar një aksion të gjerë kryesisht kundër kontrabandës.

Njerëz të cilët bënin pjesë edhe në listat e zeza të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po kërkoheshin nga Policia nën udhëheqje të IPK-së dhe Prokurorisë Speciale.

FOTOGALERI: Aksioni i Policisë së Kosovës në Zubin Potok

Rrugët ishin bllokuar ku me kamionë të mbushur me zhavorr, ku me automjete të tjera e madje edhe me drurë të prerë.

Këto barrikada të cilat ishin vendosur për të penguar aksionin u larguan po atë ditë me forcë.

Autoblindave të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës u ishte dhënë urdhër që të largonin të gjitha barrikadat e ngritura në rrugët e veriut të Kosovës.

Në këtë periudhë, kryeministër ishte Ramush Haradinaj. Ai pati thënë se qytetarët serbë duhet të ruajnë qetësinë dhe të respektonin ligjin pasi që në aksion do të arrestoheshin persona të cilët dyshohej se kishin kryer vepra penale.

Barrikada të ngjashme, me automjete të rënda, ekskavatorë, automjete private, të strukturave paralele serbe ishin vendosur edhe në shtator të vitit të kaluar.

Në ditën kur kishte hyrë në fuqi vendimi për reciprocitetin për targat, qytetarë të shumtë serbë me makineri të rënda ishin nisur drejt pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak ndërsa ishin ndalur rreth 3 kilometra larg, ku edhe kishin krijuar bllokadë duke pamundësuar qarkullimin e lirë.

Krejt çka ndodhi nga 20 shtatori, deri në largimin e barrikadave në Jarinjë e Bërnjak

Në një perimetër prej 10 kilometrave përgjatë rrugës kryesore që të dërgon nga Leposaviqi për në Jarinjë ishin vendosur 8 barrikada me automjete.

Ngjashëm ishte vepruar edhe në pjesën tjetër, në magjistralen Zubin Potok- Bërnjak.

Njësitë Speciale ishin vendosur para orës 8:00 të mëngjesit në afërsi të pikës kufitare, më saktësisht në vendet ku sot janë vendosur stacione kufitare të Njësive Speciale kufitare të cilët po merren me mbikëqyrjen e kufirit dhe parandalimin e kriminalitetit në atë zonë.

Barrikadat e vendosura në shtator të vitit të kaluar qëndruan për 13 ditë, deri kur u mor vendimi i ri. Makinat që hynin nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas do të duhej që të mbulonin simbolet shtetërore në mënyrë që të hynin në territoret e njëra-tjetrës.

Barrikadat u përdorën për të kundërshtuar edhe implementimin e dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës, për moslejimin e përdorimit të targave të automjeteve të regjistruara në Serbi me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe pajisja e shtetasve serbë me fletë-deklarime kur hyjnë në Kosovë (reciprociteti me dokumentet e identifikimit).

Në nëntë lokacione të ndryshme u vendosën automjete të rënda të cilat pamundësonin qarkullimin e lirë në rrugët që të dërgonin në pikat e njëjta kufitare, Jarinjë e Bërnjak.

Automjetet u vendosën nga persona të ndryshëm, disa prej tyre të maskuar e vështirë të identifikueshëm.

Barrikadat ishin vendosur në fshatin Rudar të Zveçanit dhe në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Barrikadat u larguan në më pak se 20 orë për shkak se ishte bërë një marrëveshje.

Largohen barrikadat në Zupç të Zubin Potokut

Nga incidentet që ndodhën të dielën e 31 korrikut, Policia e Kosovës dhe prokuroria ka thënë se janë duke u marrë me identifikim dhe verifikim të rasteve.