Foto: REL/Reuters

Lajçak: Të hënën vazhdon dialogu, s'do të diskutohet për Asociacionin

I dërguari special i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se takimi i radhës mes Kosovë dhe Serbisë do të vazhdojë të hënën, derisa ka shtuar se nuk do të diskutohet për Asociacionin e Komunave Serbe.

Ai përmes një postimi në Twitter ka bërë të ditur se kjo temë nuk do të jetë në rend ditë pasi Kosova nuk është e gatshme.

“Kryenegociatorët do të takohen të hënën për të vazhduar diskutimet mbi pretendimet financiare dhe pronën. Asociacioni nuk do të jetë në rendin e ditës pasi njëra palë nuk është ende e gatshme për të diskutuar. Por kjo duhet të adresohet si pjesë e Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse siç është rënë dakord në takimet e udhëheqësve”, ka shtuar Lajçak.

Të hënën koordinatori për dialog, Skender Hyseni do të takohet me koordinatorin e Serbisë në dialog, Marko Gjuriq me ndërmjetësim të BE-së.

Kryeministri Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media të enjten, ka thënë se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet më për të.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.