Lajçak mbërrin në qeveri për ta takuar Kurtin

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka arritur në objektin e Qeverisë për tu takuar me kryeministrin Albin Kurti.

Takimi do të mbahet i mbyllur për media.

Lajçak paraprakisht është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vizita e Lajçakut në Kosovë vjen një ditë pas takimit që ka zhvilluar në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha se themelimi i Asociacionit dhe mbajtja e zgjedhjeve në komunat në veri, kanë qenë ndër temat kryesore të takimit.

“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Europian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”- ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në Instagram.

Pas katër viteve në krye të procesit dialogut Kosovë – Serbi, Lajçaku pritet të përfundojë mandatin e tij në gusht të vitit 2024. Ai kishte nisur mandatin, fillimisht njëvjeçar, në prill të vitit 2020.