Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Lajçak i quan produktive diskutimet me Bislimin e Petkoviqin: Konsultimet e mëtejme janë të nevojshme

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka bërë një përmbledhje të diskutimeve që ka zhvilluar me kryenegociatorët e t dyja palëve, të cilat ai i quajti produktive dhe se konsultimet e mëtejshme në të ardhmen do jenë të nevojshme.

Lajçak tha se të hënën ka mirëpritur në Bruksel kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, me të cilin ka diskutuar edhe për  draft-statutin e Bashkimit Europian për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Të hënën mirëprita në Bruksel kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq. Diskutimet tona mbuluan një sërë temash, duke përfshirë draft-statutin e BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, hapat e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe detyrime të tjera të mbetura në pritje”- ka shkruar Lajçak.

Ai tha se të mërkurën, në një video-konferencë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, kanë diskutuar çështjet e dialogut dhe se ka rënë dakord për hapat e ardhshëm në proces.

“Të mërkurën, u angazhova në një video-konferencë të detajuar me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, duke diskutuar një listë gjithëpërfshirëse të çështjeve të dialogut. Ne ramë dakord për hapat e ardhshëm në proces. Ndërsa diskutimet me të dy negociatorët ishin produktive, konsultimet e mëtejshme në periudhën e ardhshme do të jenë të nevojshme”- ka thënë Lajçak.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë propozuar Kosovës një draft-statut për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe- marrëveshje që rrjedh nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, propozim të cilin e ka pranuar kryeministri Albin Kurti.

Përmbajtja e dokumentit nuk është bërë publike zyrtarisht, përderisa konfidencialiteti i tij po arsyetohet nga palët si kërkesë e ndërkombëtarëve.

Palët deklaruan se dokumenti është i pranueshëm për ta, mirëpo liderët e të dyja vendeve arsyetuan fshehtësinë e përmbajtjes, duke thënë se kjo është kërkuar nga pesë emisarët, pasi përpjekjet diplomatike janë ende në vazhdim.