Kuvendi i Kosovës/ Foto: KALLXO.com

Kuvendi themelon Komisionin Hetimor për rezervat shtetërore

Pas disa orësh diskutime, Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe dyshimet për keqpërdorime dhe abuzime të mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Ky Komision ka marrë mbështetjen e 69 deputetëve që votuan pro, një kundër dhe gjashtë të tjerë kanë absetenuar.

Nga Lëvizja vetëvendosje anëtarë të këtij komisioni janë Armend Muja, Driton Hyseni, Shqipe Meta Isufi, Halil Thaçi dhe Sali Zyba.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, Rashit Qalaj është përzgjedhur kryesues, kurse anëtar Ferat Shala.

Lidhjes Demokratike të Kosovës i takon zëvendëskryesuesi/ja, me ç’rast është përzgjedhur deputetja Valentina Bunjaku- Rexhepi, kurse anëtare nga po kjo parti, Doarsa Kica- Xhelili.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka përzgjedhur anëtar Pal Lekajn kurse grupi multietnik ka zgjedhur deputetin Erxhan Galushi si anëtar i Komisonit Hetimor.

Nga LDK-ja si inicuese e këtij komisioni, thonë se duke pasur parasysh dyshimet për abuzime të mundshme, konsiderojnë që është e nevojshme të bëhet hetim i thelluar parlamentar.

“Ne deputetët nënshkrues e konsiderojmë si të domosdoshme që të kemi hetim parlamentar për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore si dhe të propozojmë hetimin e çështjeve në vijim”- tha shefi i këtij grupi parlamentar, Arben Gashi.

Kurse, kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila e ka konsideruar hap të ngutshëm kërkesën e LDK-së për formimin e Komisionit hetimor parlamentar.

Ajo ka thënë se Prokuroria e Shtetit ka reaguar tashmë lidhur me këtë çështje duke arrestuar persona të dyshuar.

Kusari – Lila ka pyetur deputetët nënshkrues të kësaj kërkesë, nëse nuk po i besojnë Prokurorisë në hetimin e këtij rasti.

Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së tha se e mbështetë iniciativën për themelimin e komisionit, por nuk është iniciues.

Ai ka thënë se po angazhohen çdo ditë që vendi të shkojë në zgjedhje, por nuk heqin dorë nga mandati si deputetë për hetim parlamentar për rezervat shtetërore.

Tahiri deklaroi se PDK-së janë të gatshëm të heqin dorë nga mëditjet vetëm që të bëhet t’i mundësohet puna këtij komisioni hetimor parlamentar.

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha mes tjerash u ka thënë deputetëve se nëse nuk e përkrahin themelimin e komisionit, sipas tij, ata po fshehin diçka.

Në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore, ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në një intervistë përballë Jeta Xharrës në #KallxoPërnime.

Konjufca tha se në sistemin e drejtësisë ka tendencë të njolloset Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo pasi ai ka thënë se në drejtësi është dikush që me vullnet anti-LVV, të cilët çështjet administrative i bëjnë penale.

Sipas kryeparlamentarit, në çështjen e rezervave shtetërore nuk ka ndonjë shkelje.

“Unë nuk mendoj që ka ndonjë shkelje aty, e aq më pak korrupsion. Qeveria ka thënë “hajde shkojna bashkë në depo është 97.5%, 2.5 % ka me ardhë, qekjo nuk është vepër penale” – ka thënë Konjufca.

Ai po ashtu ka thënë se në agjenci qeveritare është e ligjshme që kryeministri të emëroj persona.

“Nëse një institucion është qeveritar, agjenci qeveritare, se agjencitë ndahen në të ndryshme, qeveritare dhe të pavarura, nëse është e pavarur, ti nuk ke drejtë si ministri me iu perzi dhe ti e vendos atje një njëri, kjo mund me përbë vepër penale. Por nëse e çon dikë në agjenci qeveritare, kryeministri e ka me ligj të drejtën”- ka shtuar ai.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar në gusht të këtij viti nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.