Kuvendi shpenzoi rreth 5 milionë euro për paga dhe mëditje për nëntë muaj

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me shumicë votash ka miratuar raportin nëntëmujor të shpenzimeve të Kuvendit e Kosovës.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi,  tha se rreth 5 milionë euro nga buxheti kanë shkuar për paga dhe mëditje.

“Rreth pesë milionë e buxhetit të Kuvendit të Kosovës ka shkuar për paga dhe mëditje apo rreth 99% e buxhetit mujor. Për ketë nëntë muaj janë shpenzuar mbi 500 mijë euro për mallra dhe shërbime; rreth 130 mijë euro shpenzime komunale; shpenzime kapitale 276 mijë euro”, tha ai.

Ndërkaq Krasniqi shtoi se në disa kategori krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka pasur rritje të shpenzimeve.

“Në kategorinë për këshilldhënie ka pasur rritje të shpenzimeve gjithashtu edhe në kategorinë për mirëmbajtje të veturave si dhe shpenzimeve kapitale”, tha ai.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Trasnfere gjatë mbledhjes nuk ka miratuar raportin financiar për 2020 të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe KOSTT-it.