Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi pa kuorum, dështon rezoluta e AAK-së për dialogun Kosovë-Serbi

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për të votuar rezolutën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) në lidhje më zhvillimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Në sallën e Kuvendit kanë qenë të pranishëm vetëm 52 deputetë, numër i pa mjaftueshëm për të hedhur në votim rezolutën.

“Vetëm 52 deputetë janë të pranishëm, nuk kemi kuorum për vendim marrje. Shihemi në seancat e radhës”, ka konstatuar nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri si propozues i kësaj rezolute ka thënë se ky debat është thirrur një muaj më parë, më 21 janar të këtij viti.

Rezoluta përmban dy pika:

1.Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë në nivel politik dhe jo teknik si dhe të udhëhiqet nga kryeministri i Republikës së Kosovës

2.Dialogu duhet të fokusohet në njohje të ndërsjellët dhe ulëse në OKB  

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot seancë me një pikë të rendit të ditës, debat parlamentar në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi.

Debati për zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi është thirrur nga deputeti Ramush Haradinaj dhe gjashtë deputetë të grupit parlament të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.